Një ngjarje e rëndë e shënuar mbrëmjen e së premtes në Alatri, Itali, i mori jetën një 21-vjeçari italian. Emanuele Morganti u plagos rënë me hekur në kokë dhe ndërroi jetë 36 orë pas ngjarjes në spital. Fillimisht, mediat italiane raportuan se autori i plagosjes që i solli vdekjen të riut ishte një shqiptar. Ai u konfliktua në një lokal nate me një person që i ngacmoi të dashurën, ndërsa më pas këtij të fundit i erdhën në ndihmë edhe shokët, që e masakruan të riun duke i thyer kafkën.
Por ndryshe nga sa u raportua fillimisht, autori i ngjarjes nuk është shqiptar. Kështu shprehet e fejuara e 21 vjeçarit Emanuele Morganti. Ketty thotë se pengu i jetës së saj do të jetë fakti që nuk mundi të bënte asgjë.
“Ai thjesht po argëtohej me miqtë dhe të dashurën e tij. Nuk i kishte bërë gjë askujt. Ai që e qëlloi në kokë me një hekur, ai që i mori jetën, ishte një italian”, ka thënë vajza.
Pas marrjes në pyetje të të pranishmëve në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin edhe një grup shqiptarësh si dhe djaloshi shqiptar që është konfliktuar me viktimën, një kthesë është shënuar në hetimet e këtij rasti.
Mediat italiane shkruajnë se rrethi është ngushtuar në 9 të rinj italianë, të cilët janë marrë në pyetje dhe janë lënë të lirë deri në përfundim të hetimeve.



