Gazetari Artan Hoxha, dërgimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për verifikim në prokurori të 16 kandidatëve për deputetë, e sheh si qëmtim të hollë me lupë për të shkuar nga bishti dhe për mos të shkuar lartë tek partitë e mëdha.
Duke folur për MCN Live ai tha se kur ulet kaq poshtë steka, mund të ketë zhvillime me SPAK që në nisje të legjislaturës së re parlamentare, pavarësisht se Prokurorisë së Posaçme iu kërkua që të shmangte përfshirjen në lista të personazheve me të shkuar problematike.
Sipas tij, problemi qëndron te kandidatët për deputetë në lista të mbyllura, të partive të mëdha, të cilët do të jenë automatikisht në Kuvendin e ardhshëm.
Pamë që në të dyja listat e partive të mëdha, te mazhoranca ministra dhe deputetë që janë pjesë e SPAK, janë në listat e sigurta, deputetë në Kuvendin e ardhshëm, kishte elementë të tillë edhe pse më pak te opozita.
Efekti i SPAK nuk u ndje shumë. Menduam se te filtrimi të dyja forcat politike do të kujdeseshin që të mos kishin problem me forcat e tyre.
KQZ deri në këtë moment ka paraqitur një listë për verifikim komisionit të posaçëm që ka prokuroria me 16 emra kandidatësh.
Të 16 emrat janë kandidatë të partive të vogla, as LSI nuk është përfshirë.
E vetmja parti që është përfshirë është Partia Social Demokrate e Tom Doshit.
4 kandidatë janë të listës Shqipëria Bëhet.
Një i listës Djathtas për Zhvillim, një i Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës, pastaj Lëvizja Bashkë, Aleanca Demokratike.
Kandidatët që ka zgjedhur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ia ka çuar prokurorisë nuk janë kandidatë fitues, problem janë ata që janë në listat e mbyllura të partive të mëdha, të cilët në fakt janë të emëruar deputetë dhe presin thjesht certifikimin që të futen nga KQZ deputet.
Kjo listë që i është çuar prokurorisë është një listë “më ka çuar nëna për të larë gojën”.
Nuk ka një ministër apo deputet aktual, le të dilte i pastër, por çoja prokurorisë.
Kur ti e ul kaq poshtë stekën, mund të ketë zhvillime me SPAK.
Këta poshtë dhe po ti lësh aty, nuk janë fitues.
Ne duam efekt para datës së zgjedhjeve, në mënyrë që votuesit të mos e çojnë votën në drejtim të gabuar.
Administrata po bën atë që ka bërë gjithmonë, të gjithë janë në fushatë.



