
Pak ditë më parë është nënshkruar në Podgoricë marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe përmes softuerit “Kulla e shqipes”. Marrëveshja në fjalë mundëson përdorimin falas të softuerit nga të gjithë banorët e Malit të Zi, ndërsa zbatimi i saj do të fillojë brenda 10 ditësh. Fatmir Gjeka, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Malin e Zi deklaroi përmes një lidhje ”Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se me këtë projekt janë bërë hapa galoponte për ruajtjen e gjuhës shqipe Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij Gjeka tha se përfituesit kryesorë janë nxënësit e ciklit të ulët dhe punonjësit e administratës ku përmes fjalorëve dhe korrektuesëve do rritet cilësia e gjuhës shqipe. "Është arritje e madhe për ruajtjen dhe për gjuhën shqipe. Për shumë dekada nuk ka pasur avancim të gjuhës shqipe në Mal të Zi. Përfitojnë të gjithë banorët nga Mali i Zi. Fjalori i madh shpjegues i shqipes me 80 mijë zëra, me 115 mijë kuptime, fjalori i madh drejtshkrimor me 8 milionë forma morfologjike, korrektuesi sintaksor. Përfitues janë banorët, të gjitha nivelet arsimore nga cikli i ulët, shkollat e mesme, institucionet shtetërore, çdo qytetar qoftë shqiptar apo banor që do të njihet me gjuhën shqipe mund të njihet përmes këtij programi. Mundëson dhe shkurtimin e kohës për drejtshkrimin. Mund ta përdorin dhe e gjithë Diaspora jonë, që ka një dokument nga shtetësia malazeze, do të jetë në shërbim të shqiptarëve që janë me prejardhje nga Mali i Zi por që jetojnë jashtë. Dobia e rëndësia është kursimi i kohës, përvetësimi i lehtë i gjuhës përmes këtyre softuerëve. Administrata shtetërore, ku gjuha shqipe është zyrtare në Ulqin Tuzë, Plavë dhe Guci shkurton kohë, sistemi arsimor dhe punëtorët e administratës do të përfitojnë më shumë. Është një mrekulli. Është punuar shumë me këtë projekt dhe përfitimet do të jenë të mëdha që nga nisja e aplikimit të saj javën që vjen. Do ndihmojë shumë në cilësinë e gjuhës shqipe të shkruar dhe asaj administrative, të gjitha institucionet ku jetojnë shqiptarët dhe jo vetëm mund ta përdorin këtë softuer për të kontrolluar drejtshkrimin ose për të kuptuar nëse janë në rregull me atë që qytetari ka dashur të thotë. Me këtë softuer kemi avancuar dhe kem bërë hapa galoponte në ruajtjen e gjuhës shqipe".



