Irani përdori sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë të prodhuar nga Rusia në një stërvitje ushtarake të mërkurën, pas sulmeve izraelite tetorin e kaluar për të cilat Izraeli tha se kishin dobësuar seriozisht aftësitë mbrojtëse të Teheranit.
Stërvitja u zhvillua një ditë pasi kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu u takua me Presidentin e SHBA Donald Trump për të diskutuar tema rajonale duke përfshirë programin bërthamor të Iranit.
Të dy liderët thanë se Irani nuk mund të lejohej të zhvillonte armë bërthamore, teksa Trump njoftoi më herët rifillimin e fushatës së tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit për të ulur eksportet e tij të naftës në zero, në mënyrë që ta ndalojë atë të marrë një armë bërthamore.
Më 26 tetor, avionët luftarakë izraelitë goditën fabrikat e raketave dhe vende të tjera pranë Teheranit dhe në Iranin perëndimor, deklaroi ushtria izraelite. Kjo pasoi një sulm iranian mbi Izraelin më 1 tetor, duke përfshirë rreth 200 raketa balistike.
Televizioni shtetëror iranian raportoi të mërkurën se në një operacion të njëkohshëm, sistemi i mbrojtjes ajrore iraniane me rreze të gjatë Bavar-373 dhe S-300 i prodhuar nga Rusia rrëzuan një objektiv hipotetik armiqësor duke gjuajtur raketa.



