
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po tenton të digjitalizojë arkivin e saj, që rezulton i dyti më i madh në Shqipëri, pas Arkivit të Shtetit. Drejtoresha e arkivit në MEPJ shprehet për "Tema TV"se kjo do t'u jepte më shumë akses edhe shqiptarëve që ndodhen jashtë Shqipërisë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në tentativë për të gjetur donatorë për të digjitalizuar mbi 6 milionë dokumente që datojnë që nga 1912-a, kur ka nisur punën institucioni.
“Normalisht, digjitalizimi i plotë. Ne jemi në tratativa me projektet e gatshme për të krijuar një qendër digjitale kërkimore për një kërkim më të thelluar digjital të publikut të interesuar, të të gjithë të interesuarve pranë ambienteve të Ministrisë së Jashtme”, deklaroi Pranvera Teli (Dibra), drejtoresha e Arkivës në MEPJ
Sipas Telit, digjitalizimi ka nisur me rubrikën “Historia e Diplomacisë”, duke hapur një dritare në faqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por sipas saj kjo nuk mjafton pasi duhen projekte të mëdha.
“Ndërsa në epokën digjitale ku ne jetojmë, për ta bërë këtë më të aksesueshme, më komode dhe për shqiptarët jashtë vendit, ky arkiv ka hyrë në rrugën e digjitalizimit. Faza e parë, që ishte brenda mundësive dhe bëhej me mundësitë e ministrisë pa një fond ekstra, është hapja e një faqeje, një rubrikë zyrtare në faqen elektronike të këtij institucioni, të titulluar "Histori e diplomacisë shqiptare”, theksoi drejtoresha.
Ndërkohë, në arkivën fizike të ministrisë, dokumentet e para datojnë që në vitin 1912. Ato janë të renditura sipas viteve dhe tematikave. Sakaq, vitet e fundit në kategorinë e dokumenteve të aksesueshme kanë hyrë edhe ato të Luftës së Ftohtë.
Ndërkohë, sipas drejtoreshës së arkivit, aktualisht janë rreth 3 mijë dokumente, të cilat nuk janë të aksesueshme për qytetarët dhe studiuesit, ndërsa për pjesën tjetër të dokumenteve, sipas Telit, mundësia e aksesimit është shumë e lehtë, sipas ligjit të arkivave, duke paraqitur kërkesë në MEPJ.



