Avokati Përparim Çaça tryezën e kryedemokratit Sali Berisha me partitë aleate opozitare, e sheh si formale, për sa kohë që nuk e jep askush qeverinë teknike.
Në një lidhje për “MCN Live” ai ndau bindjen se nuk mund të ketë qeveri teknike pa mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Çaça shtoi se aktualisht mazhoranca e ka luftën me SPAK dhe jo me opozitën.
Berisha sot është kryetari i partisë më të madhe të opozitës dhe ka të drejtë të mbledhë gjithë faktorin opozitar. Shumica e partive aty janë parti që kanë thjesht kryetarin, pa anëtarë. Ai mendon se ka një parti të fuqishme dhe mund të ulet në këtë tryezë si Jenisheri apo Gjuzi, që unë doja të dëgjoja aksionin e tyre opozitar.
Pjesa tjetër duam apo nuk duam janë parti parlamentare, Lapaj ka 70 mijë vota, nuk janë pak, pavarësisht përfaqësimit dhe numrit. Bënë autogola pas zgjedhjeve, por shtrati për të qenë parti më të fuqishme në të ardhmen, ishte. Nëse do të kishin qenë dhe ata në këtë tryezë do të ishte vlerë e shtuar, Shehaj, Lapaj apo Qorri.
Besoj se tryeza nuk ka asgjë të keqe, por ta bësh thjesht për të dëgjuar njeri tjetrin vetëm për mënyrën si do bëjmë qeveri teknike... Po kush po ua jep njëherë? Nga vjen ideja e qeverisë teknike? Jemi pa qeveri aktualisht?! Presim të vij helikopteri dhe të marrë Ramaduron, këto janë ca përralla që asnjë njeri nuk i beson.
Ka një kontradiktë shumë të madhe mes asaj që Partia Demokratike zyrtare deklaron, që nuk hyjmë në zgjedhje me këtë Kryeministër dhe së dyti ti thua që nuk bojkoton asnjë palë zgjedhje. Berisha dhe Rama do miratojnë dhe reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Sot kjo mazhorancë luftën e ka me SPAK, i cili tashmë është në paradhomën e Kryeministrit.
Kush është qasja që ka PD lidhur me faktorin ndërkombëtar? Nuk kam parë kurrë një qeveri teknike pa patur një mbështetje nga ndërkombëtarët. Por PD ka një problem me faktorin ndërkombëtar, edhe prej qenies “non grata” të zotit Berisha.
PD në mënyrë absolute duhet ta shohë këtë korrelacion me ndërkombëtarët se pa ndihmën e tyre nuk ka ndodhur kurrë që të ketë qeveri teknike. Janë 83 mandate, si mund të ikë një Kryeministër dhe të vendoset një Kryeministër tjetër.



