Ish-prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi e konsideroi vendimin e Gjykatës së Kasacionit në Itali se marrëveshja Rama-Meloni është në kundërshtim me Kushtetutën si të drejtë, në përputhje me jurisprudencën italiane dhe atë të BE-së. Ai shpreh keqardhjen që e njëjta vendimmarrje nuk u mor nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Sipas ish-prokurorit Gjykata Kushtetuese në Shqipëri e ka të vështirë të dalë kundër vendimmarrjeve të qeverisë e Parlamentit.
“Gjykata e Kasacionit të Italisë mori në shqyrtim çështjen që kishin të bënin me transferimin e emigrantëve nga Italia në Gjadër dhe në përfundim nxori një vendim shumë interesant dhe të rëndësishëm, gjykata e lartë italianë konstatoi se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën italiane, me aktet ndërkombëtare, që rregullojnë të drejtat e njeriut e në veçanti të drejtën për azil. Të njëjtën çështje me të njëjtin objekt e shqyrtoi edhe Gjykata Kushtetuese shqiptare, që konstatoi se marrëveshja Rama-Meloni s’prek të drejtat e njeriut, pra s’ka probleme të natyrës kushtetuese dhe akteve ndërkombëtare. Kemi një çështje me dy përfundime të kundërta. Njëri nga këto vendime është i drejtë. Nuk ka dyshim që gjykata e lartë italianë ka dhënë një vendim shumë të argumentuar, shumë të drejtë, të mbështetur në jurisprudencën italiane dhe atë të BE-së. Me keqardhje duhet të themi që s’ndodh e njëjta gjë me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në gjykimin e saj 5 me 4 argumenton që nuk kemi shkelje të Kushtetuese dhe akteve ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka shumë të vështirë të dalë kundër vendimmarrjeve të qeverisë dhe Parlamentit me ç’duket”.



