Avokati i gazetarit Elton Qyno, Dorjan Matlia për shoqërimin dhe marrjen në pyetje të tij, sqaron se Prokuroria ka bërë kërkesën për kontroll personal, të banesës dhe sekuestrim e të dhënave dhe se ka qenë gjykata ajo që ka noterizuar në pak minuta të gjitha aktet.
Në një lidhje për MCN Live, Matlia tha se gabimin e tmerrshëm e ka bërë gjykata, jo prokuroria, pasi ka një procedim penal të nisur që nuk është për gazetarin në fjalë.
Sipas avokatit, detyra për të ruajtur dosjen është e prokurorit të çështjes dhe oficerit të policisë gjyqësore.
Matlia sqaroi se me anë të gjithë sekuestrimit të gjithë materialeve kërkohet të mësohet se kush ia ka dhënë gazetarit materialet.
Ndër të tjera shtoi se SPAK në vend të hetojë prokurorin, merret me gazetarin, i cili nuk ka më përgjegjësi penale dhe se momentalisht po i shkaktohet edhe dëm financiar dhe profesional.
Kjo është në shkelje të çdo të drejte të gazetarit për nxjerrjen e burimit.
Rrezikohet që të dalin dhe burime të tjera që ka gazetari, mund të jenë lajme që ishin duke u përgatitur për të ardhmen, apo që i ka përgatitur më parë.
Të gjitha këto ranë në duart e SPAK për hir të një prokurori që duhet të ruante dosjen.
Gjykata dhe prokuroria nuk kanë pritur që t’i japin kohë një gazetari që të kërkojë mundësi për ankimim.
Por e kanë mbajtur të izoluar brenda SPAK, e jo më të ankohej në Strasburg, para se të sekuestroheshin materialet.
I kanë marrë materialet në zyrë, edhe telefonat personalë që i kanë gjetur në një lokal.
I kanë gjetur në një lokal, se aty ku la telefonat gazetari, pi kafe prokurori, i cili i pa ku i la se nuk lejohen telefonat në SPAK.
Nuk ka metoda speciale për sekuestron e tyre.
Që të sekuestrohen materialet e gazetarit, gjykata duhet të pyesë prokurorin se çfarë hetimesh ka bërë, duhet të pyesë prokurorin që dyshohet, oficeri i policisë gjyqësore që dyshohet.
Mund të përgjohen me metoda të ndryshme speciale se me kë kanë komunikuar. Le ta zëmë se Elton Qyno nuk i ka marrë materialet nga prokurori, por nga dikush tjetër që ia ka marrë prokurorit.
Vetëm pasi të bëhen këto hapa mund të shkohet atje, por sipas Gjykatës së Lartë, edhe pas kësaj, duhet një urdhër i veçantë.
Mund të futesh brenda të marrësh një të dhënë dhe të ikësh dhe jo të marrësh gjithë kompjuterin.
Gjykata e Lartë ka vënë aq shumë kushte sa që mund të përdoret vetëm në raste të domosdoshme, se rrezikohen burimet.
Nuk rrezikon vetëm gazetari në fjalë, por gjithë gazetaria dhe në këtë rast gazetarët nuk do të kenë asnjë informacion. Madje dikujt mund t’i rrezikohet edhe jeta.
Gjykata dhe gjyqtarja në fjalë është përgjegjësja kryesore, e cila lejoi prokurorinë që të bëjë një shkelje kaq brutale.
Sepse prokuroria mund të kërkojë çudira, por është gjykata që i shqyrton. Për mua është rasti që gjyqtares t’i nisë një procedim disiplinor se ka shkelur një vendim të Gjykatës së Lartë.
Jemi në pikën që kemi dorëzuar dy ankime, një ka të bëjë me sekuestrimin e materialeve pa vendim gjykate, siç është sekuestrimi i telefonave dhe një ankim tjetër për prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimi i materialeve të gazetarit, pa i hapur akoma.
Të paktën të mos bëhen pjesë e ndonjë dosje kriminale, se aty brenda ka dhe gjëra personale.
Deri tani dy pozicione juridike po marrim konsideratë: Elton Qyno si dëshmitar ka të drejtën si gazetar profesionsit që të mos tregojë burimin dhe kjo është e parashikuar nga ligji.
E dyta, bëhet fjalë për dy publikime të bëra në 10 dhe 11 dhjetor dhe që në 13 dhjetor e kanë thirrur Elton Qynon në prokurori dhe e mbajtën brenda në gjashtë orë dhe e detyruan të nënshkruajë një deklaratë se nuk do publikojë më asgjë.
Këtu fillon problemi që pas deklaratës nëse publikon artikull tjetër mbi të dhënat që janë sekrete, mund të mbajë përgjegjësi penale.
Deri në momentin e nënshkrimit të deklaratës, detyra për ruajtjen e sekretit hetimor është e prokurorit.
SPAK në vend të hetojë prokurorin, merret me gazetarin. Nuk ka më përgjegjësi penale gazetari në këtë rast.
Gazetari do e marrë dhe publikojë dosjen nëse ka interes publik. Kjo është puna e gazetarit. Mund të mos i pëlqejë prokurorisë, por i pëlqen interesit publik.
Personi nga brenda mund të nxjerrë materiale të tjera. Ti si SPAK duhet të gjesh burimin.
E vetmja gjë për të cilën shqetësohem është se mirë herën e parë me Lapsi.al, nuk dinte, por tani nuk është çështje injorance.
Struktura e posaçme antikorrupsion, mbi të gjitha gjykata e posaçme është një ndër më të këqijat për shkeljen e standardeve.
Amerikanët mbështesin prokurorinë që të hetojë, jo standardet e gjykatës. Për gjykatat ka një BE, një KE që i shikon, jo amerikanët.
Amerikanët ndihmojnë hetimet, jo gjykimet. Standardet e gjykimit i vendos gjykata shqiptare dhe aty çalojmë rëndë ne.
Ne e kemi problemin te gjykata, jo te prokuroria. Niveli i njohurive të tyre është i dobët. BE ka mbështetur fort gjykatën dhe jo prokurorinë.
Ky ka qenë i gjithi një projekt i BE-së, i cili për mendimin tim është i dështuar. Hetimi nuk është kryesori, gjykimi i drejtë është kryesori.
Matlia deklaroi ndër të tjera se janë bërë kërkesa dhe ankesa që do shqyrtohen nga gjykata, duke nënvizuar se vendimi i Apelit mund ta prishë vendimin e shkallës së parë dhe mbyllet çështja aty.
Në këtë linjë shtoi se Gjykata e Lartë ka një vendim njehsues për një rast të tillë dhe se nëse nuk gjendet zgjidhja brenda vendit, do i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
Në vijim tha se sekuestroja zhbëhet me vendimin e gjykatave të larta, duke nënvizuar se ka shpresë te Apeli dhe në mos aty, vendimi i shkallës së parë do të prishet patjetër në Gjykatën e Lartë.



