Banorët e Bërxullës kanë përshkallëzuar protestën kundër shpronësimit të tokave të tyre, duke u ngjitur në shtyllat e tensionit të lartë, e duke kërcënuar me vetëflijim.
Njëra prej banoreve deklaron për MCN Tv se është e papranueshme që koncesionarët “të bëjnë qejf” në tokat e tyre, ndërsa qytetarët të rrinë pa bukë. Banorja kërkon një përgjigje nga ministrja Belinda Balluku dhe instancat shtetërore.
Do qëndroj e fortë, vetëm për këtë protestë që kam bërë, derisa të marrë një përgjigje nga ministrja Balluku. Sepse nuk ka dalë për t’u dhënë një përgjigje banorëve. Si Parlamenti, si Kryeministrja, si Ministria, s’kemi lënë dikaster pa shkuar. Sot ishte akti më ekstrem që e kemi thënë në çdo protestë që do vetflijohemi. Në rast se shteti nuk reagon do ketë edhe akte më të rënda, që shteti t’i vërë gishtin kokës se fshatarësia s’ka bukë të hajë. Firmat, koncesionarët bëjnë qejf në tokat tona dhe ne të rrimë pa bukë! Nuk është parë në asnjë shtet të Europës. Për këtë fajësojmë shtetin, Belindën bashkë me kryeministrin. Firma çon juristat nëpër shtëpia duke bërë propagandë për t’i kompromentuar. Sot do jem më e fortë, edhe pse kam hipur atje 63 vjeçe”.
Ndërkaq, një tjetër banor u shpreh se rruga e re do ndërtohet vetëm me lapidarë, pasi nuk do të lejohet nga banorët.
Do ketë përshkallëzime edhe më të forta se kjo e sotmja. Sepse i kemi paralajmëruar që ditën e parë të protestës. Nuk e di çfarë VKM-sh bën shteti! Vet i miraton, vet i shfuqizon! Vendimin e 2016-ës e ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese në 2021-shin. Banorët kanë bërë thirrje të vijnë të ulen në negociata, sepse rruga s’do ndërtohet pa marrëveshje. Kjo rrugë do fillojë me lapidarë, pa filluar ndërtimi, sepse s’do ketë fillim rruge pa marrëveshje me banorët. Në dy fshatra janë 33 banesa, dhe gjithsej shkojnë 90 banesa që ndërtohen, për t’u plotësuar dëshirën oligarkëve që kanë blerë tokat në rrugën paralel me aeroportin. Do jenë më të forta masat. Ose ky shtet të ulet me banorët, ose s’do ta lejojmë zhvillimin e rrugës!”



