280 nxënës dhe një mësues të rrëmbyer prej 1 muaji në Nigeri u liruan nga bandat. Fëmijë nga tetë deri në 15 vjeç u mbajtën peng prej 3 javësh në veriperëndim të Kurigës, ndërsa rrëmbyesit kishin kërkuar 690 mijë dollarë në këmbim të lirimit të tyre.
Qeveria deklaroi se nuk do paguante asnjë dollar tek banditët, ndërsa mësohet që në negociata të ketë qenë i përfshirë vetë Presidenti i Nigerisë, Bola Tinubu që mundësoi lirimin. Nuk dihet ende nëse pagesa u dha ose jo.
Guvernatori i shtetit të Kadunës në Nigeri tha se rrëmbyesit vendosën të lirojnë pengjet para përfundimit të afatit. Sipas tij, merita pati edhe ushtria nigeriane, por pa specifikuar se si u ndërhy për lirimin e nxënësve.
Rrëmbimi masiv ndodhi më 7 mars, gjatë asamblesë së shkollës. Nxënësit, 185 të shkollës së mesme dhe 125 nga shkolla fillore ishin grumbulluar në oborr, kur dhjetëra motoçiklistë dhe banditë të armatosur hynë në shkollë për ti marrë peng. Një nxënës 14-vjeçar mbeti i vrarë gatë rrëmbimit.
Në Shtetin Kaduna të Nigerisë, prej vitesh ndodhin rrëmbime masive. Bandat kriminale e kanë kthyer këtë në një biznes fitimprurës, duke kërkuar shpërblime të majme në këmbim të lirimit.
Në vitin 2022, Nigeria ka miratuar një ligj duke e konsideruar krim kryerjen e pagesave për rrëmbimet, me një dënim prej të paktën 15 vitesh, por prej 2 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, asnjë nuk është arrestuar.



