
Zgjidhja e çështjes së qarkullimit të dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë konsiderohet thuajse e pamundur nga Lëvizja Vetëvendosje. Për deputetin Arbër Rexhaj, Serbia ka ndërmarrë një fushatë të egër dhe ka qasje shumë dekonstruktive, duke marrë parasysh pengesat drejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shohin të paarsyeshëm dialogimin në Bruksel për çështje të brendshme. Sipas tyre dinari serb nuk duhej të bëhej pjesë e dialogut.
Për deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, qeveria po del jo serioze ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve se si po e trajton çështjen e dinarit.
Qarkullimi i dinarit në Kosovë u ndalua me një vendim të Bankës Qëndrore. Por ankesat e Serbisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë se po cënohen të drejtat e serbëve e kanë kthyer në temë bisedimesh mes palëve në Bruksel.



