Koreja e Veriut ka lëshuar raketën e saj më të fuqishme me rreze të gjatë veprimi, konfirmojnë autoritetet koreano-jugore, duke sfiduar kufizimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Lëshimi i raketës balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë tërhoqi dënimin e menjëhershëm nga Perëndimi. Raketa u ul në perëndim të Hokkaido në Japoni.
Lëshimi i raketës vjen pasi zyrtarët e mbrojtjes të Koresë së Jugut dhe SHBA-së u takuan javën e kaluar për të përditësuar planet se si t’i përgjigjen një sulmi bërthamor nga Veriu.
Pheniani kishte thënë në përgjigje se do të merrte kundërmasa më sulmuese.
Shteti i izoluar lëshoi raketën me rreze të gjatë veprimi të hënën në mëngjes rreth orës 08:24 me orën lokale, nga zona e Phenianit.
Zyrtarët koreano-jugorë dhe japonezë thanë se raketa udhëtoi për 73 minuta, duke mbuluar rreth 1000 km.
Raketat ICBM kanë gamën për të arritur në kontinentin e Amerikës së Veriut. Nisja e së hënës është lëshimi i pestë i suksesshëm i një ICBM nga Koreja e Veriut këtë vit.
Tensionet midis Koresë së Veriut dhe Jugut u ndezën muajin e kaluar kur Pheniani lëshoi me sukses një satelit spiun në orbitë, duke shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Seuli u përgjigj duke pezulluar pjesërisht një marrëveshje ushtarake me Veriun që kishte për qëllim të kufizonte aktivitetin ushtarak përgjatë kufirit dhe të zvogëlonte gjasat e përleshjeve.
Pheniani më pas u tërhoq plotësisht nga marrëveshja. Që atëherë, Koreja e Veriut ka riarmatosur ushtarët e saj në zona të paarmatosura më parë të Zonës së Çmilitarizuar.
Koreja e Veriut po punon gjithashtu për të zhvilluar një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi me lëndë djegëse të ngurtë. Muajin e kaluar ajo pretendoi se kishte testuar me sukses motorin, por raketa nuk ishte lëshuar ende me sukses.
Ndërsa Koreja e Veriut vazhdon të përpunojë dhe shtojë arsenalin e saj të armëve bërthamore, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po rritin mbrojtjen ndaj rajonit.
Në një takim në Uashington të premten, zyrtarët përditësuan planet e tyre të emergjencës se si t’i përgjigjen një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut.
Të dy vendet ranë dakord që të përdorin lojëra luftarake të armëve bërthamore në stërvitjet e tyre ushtarake verën e ardhshme.



