SHBA-të nuk kanë asnjë kandidat të preferuar, por i takon popullit shqiptar të vendosë më 25 qershor. Kështu shprehet zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Ryan Roberts, në një intervistë për GSH.
“Shqipëria ka një mundësi të madhe këtë verë. Nëse mund të zhvillojë zgjedhje paqësore dhe të besueshme, të reduktojë në mënyrë thelbësore trafikimin e narkotikëve dhe të fillojë procesin e vetingut, kjo do t’i jepte shtysë ekonomisë nëpërmjet investimeve dhe do të provonte se Shqipëria është gati për hapin tjetër në procesin e anëtarësimit në BE. Për zgjedhjet e kësaj të diele, ambasada e SHBA do të ketë mbi 30 ekipe që do të vëzhgojnë votimin në të gjithë vendin. Gjithashtu, USAID ka ofruar mbështetje teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka punuar për të përmirësuar transparencën e partive politike, si dhe po sponsorizon monitorimin nga shoqëria civile në mbi 500 qendra votimi. Nxisim të gjithë personat me të drejtë vote të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike themelore. Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë kandidat të preferuar në këto zgjedhje; është në dorën e popullit shqiptar që të zgjedhë”, shprehet ai.



