
Në mediat ndërkombëtare po hidhen hipoteza lidhur me një grusht shteti kundër Presidentit Vladimir Putin për të ndalur luftën në Ukrainë, për të parandaluar një masakër dhe për të shpëtuar Rusinë nga katastrofa e mundshme ekonomike dhe sociale. Siç ndodh gjithmonë në këto raste, dhe siç ndodhi në vitin 1964 në BRSS me largimin e Nikita Hrushovit dhe në vitin 1991 me grushtin e shtetit kundër Mikhail Gorbaçovit, janë gjithmonë “besnikët” ata që godasin liderin.
Nëse një gjë e tillë vlen ende, në rastin e Putinit kandidati kryesor duket se është Sergey Shoigu, 66 vjeç, ministër i Mbrojtjes që nga viti 2012.
Të paktën për momentin, është e vështirë të imagjinohet dikush tjetër të cilit i përshtatet më shumë përkufizimi si “shumë besnik”. Dhe vetë Putini, i cili e ndërtoi karrierën e tij në ekuilibrin e të fuqishmit, nuk ngurroi ta konfirmonte këtë, duke bërë dy pushime të shkurtra në mars dhe shtator të vitit të kaluar, momente të fotografuara dhe raportuara me bollëk nga mediat ruse.
Me Shoigu, Putin u shfaq duke peshkuar në përrenj, duke bërë kamping në dëborë dhe madje një vizitë në punishten e zdrukthtarisë së ministrit, i apasionuar pas punimeve të drurit.
Një “nder” i cili nuk është rezervuar asnjëherë për të tjerët, të paktën jo në një mënyrë kaq publike.
Sergey Kuzhugetovic Shoigu (emri i tij origjinal, në gjuhën e rajonit të origjinës, do të ishte Sergey Kuzhuget oglu Shoigu) ka lindur në Chadan në Republikën Siberiane të Tuva dhe është diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi. Nëse babai ishte Tuvan, nëna, Aleksandra, ishte ukrainase, gjë e cila, me luftën aktuale, merr një kuptim shumë të hidhur. Dikush mund të pyesë veten se si një inxhinier përfundoi duke komanduar një nga ushtritë më të fuqishme në botë, duke e çuar luftën në zemër të Europës dhe duke mbajtur gishtin mbi butonin bërthamor të arsenalit rus. Dhe përgjigja na bën të zbulojmë një nga njerëzit më të nënvlerësuar gabimisht të epokës së Putinit.
Shoigu luan kitarë, mbledh shpata japoneze, kineze dhe indiane, siç është përmendur tashmë ai gdhend edhe dru. Në hokej ai bën tifo për CSKA-në e Moskës, në futboll për Spartak. Ai ka një grua, Irina, e cila është presidente e një kompanie që operon në turizëm. Dhe dy vajza: Yulija, 47 vjeç dhe Ksenya, 31. Sipas akuzave të opozitarit rus, Aleksy Navalny, Shoigu janë pronarë të një ndërtese në periferi të Moskës me vlerë 12 milionë dollarë.
Në fund të viteve 1980, ai kishte nisur një karrierë gri, por premtuese si zyrtar komunist në rajonin e tij të origjinës, ndërsa më pas u transferua në Moskë në vitin 1990, sipas procedurës klasike që shoqëronte burokratët më të shkëlqyer ose më ambicioz në kohët sovjetike.
Në kryeqytet u emërua nënkryetar i Komisionit Shtetëror të Ndërtimit. Menjëherë pas rënies së BRSS, ai u bë kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile. Në disa raste, fatkeqësi natyrore, sulme terroriste dhe në vitin 1994, kur Departamenti u shndërrua në ministri, erdhi konfirmimi i tij nga presidenti Boris Jelcin, në postin e ministrit.
Momenti vendimtar është pikërisht ky! Nga njëra anë, Ministria e Situatave të Emergjencave, në një vend katastrofik si Rusia në atë kohë, ofroi mundësi të pafundme për t’u dukur, veçanërisht për një lloj pune efikase dhe tërësisht të përkushtuar si Shoigu.
Nuk është rastësi që në vitin 2009 një sondazh nga Qendra Kërkimore e Opinionit Publik Rus (Viciom) e vlerëson atë si ministrin më të njohur dhe më të vlerësuar të qeverisë, me 76% të pëlqimit. Por mbi të gjitha ajo ministri i lejoi që të bëjë provat për karrierën e tij të mëvonshme, sepse në Situatat e Emergjencave ai e gjeti veten duke drejtuar një trupë me 350 mijë punonjës dhe një forcë policie me mijëra burra.
Në vitin 2012, Putin e zhvendos në rolin shumë delikat të Ministrit të Mbrojtjes. Një civil për të komanduar ushtrinë. Është i vetmi i mbijetuar i epokës së Jelcinit që ka zënë një pozicion delikat në aparatin e pushtetit të epokës së Putinit. Ministër për herë të parë në moshën 39-vjeçare dhe më tej në zemër të sistemit ushtarako-politik rus në moshën 57-vjeçare. Jo keq për një provincial siberian. Ai njihet si strategu i rilidhjes së Krimesë dhe kryengritjes së Donbasit në 2014, por edhe si drejtuesi në mënyrë perfekte ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri.
Dhe jo vetëm: si Ministër i Mbrojtjes ai është gjithashtu në krye të GRU-së, shërbimit sekret ushtarak, të cilit i atribuohen operacionet e hakerëve kundër institucioneve të ndryshme perëndimore (për shembull, ndërhyrja pro Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së 2016) dhe gjurmimi i agjentëve sekretë rusë, si dhe eliminimi i tradhtarëve.
Por Shoigu, është bërë i dashur dhe preferuar edhe nga njerëzit me uniformë, sepse drejton fonde shumë të mëdha për ministrinë dhe forcat e armatosura dhe gjithashtu sepse punon mirë.
Nëntorin e kaluar, Shoigu ishte në gjendje të njoftonte se 89.1% e treshes bërthamore ruse (raketat, nëndetëset dhe bombarduesit) janë pajisur me armë dhe pajisje të reja, pothuajse 2% më shumë nga sa ishte planifikuar në dokumentet strategjike për vitin 2021.
Pikërisht këtu qëndron forca e vërtetë e Shoigut. Ai është i vetmi ministër sot, që do të ndiqej nga njerëzit e tij nëse vendos të lëvizë kundër Putinit. Dhe për të hequr liderin e Kremlinit nuk nevojitet vetëm një trupë, por një trupë e gatshme të ndjekë një udhëheqës të ri hipotetik.
Njëzet vjet më parë Shoigu u përfol si pasardhës i mundshëm i Boris Yeltsin. Po sikur të lodhej duke pritur?
Burimi: Fanpage.it/ Shqipëroi Arjola Ymeraj /



