
Gazetari Besmir Pula në një lidhje me MCN Live ka komentuar lidhur me ecurinë e gjendjes shëndetësore të avokatit të dhunuar Sokol Mëngjesi për të cilin u shpreh se situata paraqitet disi më e mirë.
Ai tha se avokati Mëngjesi vijon të jetë në gjendje të rëndë, por ka përmirësim sa i përket parametrave jetësore.

Avokati prej disa ditësh ndodhet në spitalin e specializuar në Athinë ku po merr trajtim të specializuar. Pati një përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore dhe nisi dhe një zgjim gradual nga gjendja e komës. Avokati vijon të jetë në gjendje të rëndë por ka përmirësim sa i përket parametrave jetësore dhe mjekët shpresojnë që ti kthehet normalitetit me sa më pak pasoja.
I gjithë transporti i avokatit në Athinë është bërë nga një avion i specializuar i ardhur nga Greqia. Sigurisht shpresojmë që gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet sa më shumë në orët në vijim.
Sa i përket bojkotit të avokatëve, ai tha se nga komunikimet që ka pasur këtë mëngjes me një pjesë të mirë të avokatëve ata e kanë përqafuar këtë vendim si shenjë solidariteti për dhunën ndaj kolegut të tyre.
Në fakt dhe me një pjesë të mirë të avokatëve që kam komunikuar këtë mëngjes ata i janë bindur bojkotit dhe kuptohet që të gjitha gjykatat janë në bojkot por jo seancat emergjente. Aktualisht jam në gjykatën administrative të apelit dhe nga informacionet që kam marrë një pjesë e gjyqeve nuk janë kryer për shkak të mungesës së avokatëve dhe nga një komunikim imi me ta, ata janë shprehur se janë në bojkot.
U vendos që ata të bojkotojnë seancat në gjyq për 3 ditë rresht. Pjesa e vendimit të bojkotit është pritur mirë nga pjesa më e madhe e avokatëve si shenjë solidaritetit për dhunën ndaj kolegut të tyre Sokol Mëngjesi. Edhe Maks Haxhia kryetari i dhomës së avokatëve një ditë më parë u shpreh se do të ketë njëlloj vetingu, vetëpastrimi në radhët e avokatëve të atyre që kanë shkelur ligjin dhe janë pjesë e krimit. Në orët në vijim do shihet dhe ecuria e këtij bojkoti.



