
Në një ceremoni të veçantë janë certifikuar sot 28 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave, ishin të pranishëm ambasadorja amerikane Yuri Kim, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, kreu i SPAK, Arben Kraja, si dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka vlerësuar sot punën e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke i cilësuar ata si “tmerrin e kriminelëve”.
Duke e cilësuar vitin 2021 një pikë kthese kundër krimit të organizuar, diplomatja amerikane nxit prokurorët dhe hetuesit që të vijojnë intensivisht me njëri-tjetrin për një Shqipëri të pastër , por edhe më të fortë.
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh sot se SHBA do të jetë gjithmonë mbështetëse në luftën kundër krimit.
“Kur të shikojmë që kolegët tanë bien ne do t’i ndihmojë të ngrihen. SHBA të gatshme të mbështetin përpjekjet tuaja. Duhet të jeni krenar sepse tashmë jeni duke u bërë heronjtë e fëmijëve dhe tmerri i kriminelëve. Ata që kishin menduar se nuk do të kapeshin , siç po e tregoni, atyre ditëve po ju vjen fundi. Për këtë ju përgëzoj ju falënderoj dhe ju nxis”, tha ajo.
“Puna juaj po ndërton një BKH që do të zërë një pjesë të rëndësishme. BKH shqiptare do të jetë pjesë e hetimeve penale. Do të uroja SPAK në 2 vjetorin e krijimit të tij. Veprimet flasin më fortë se fjalët. Në këto 2 vite që kur SPAK është bërë realitet kemi parë veprime që ngrihen në një veprim tjetër. I gjithë vendi është mahnitur. Vendi ka qenë në pritje të këtij çasti”.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja deklaroi se kanë ngritur laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, me konfiskimet nga të ardhurat e trafikut të drogës.
“Kemi arritur të ngremë një laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, duke përdorur konfiskimet nga të ardhurat nga trafiku i drogës. Kemi vendosur ura bashkëpunimi me policinë, strukturat e Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), drejtorinë e pastrimit të parave, Prokurorinë e Përgjithshme e shumë aktorë të tjerë”.
“Kemi vendosur ura bashkëpunimi të forta me homologët tanë, kemi firmosur marrëveshje bashkëpunimi në rajon e më gjerë, dhe me shtetet e BE, duke konsoliduar raportet e duke qenë të sigurt se vetëm me këtë bashkëpunim mund të luftojmë krimin”.
Ai tha se kanë pasur 891 procedime penale, 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 është marrë vendim.
“Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”.
Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj tha se prioritet i punës së tyre do të jetë kualifikimi i hetuesve të agjentëve të BKH-së.
‘Në BKH do të ketë vetëm hetues të shkëlqyer, të cilët do të jetësojnë dhe përmbushin misionin historik për të cilin është ngritur SPAK. Prioritet, është kualifikimi i hetuesve të BKH-së.’- tha Hajnaj.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u shpreh se drejtësia e re ka frikësuar kriminelët dhe politikanët e korruptuar.
Duke folur në ceremoninë e zhvilluar sot për shpërndarjen e certifikatave për BKH dhe SPAK, diplomati theksoi se tanimë situata në Shqipëri ka ndryshuar.
“Është kënaqësi që rikthehem në të njëjtën sallë që kam qenë para dy vitesh dhe që atëherë shumë gjëra kanë ndodhur. Sot është një ditë për të festuar. Në vetvete është një fillim tejet i mbarë për javën e Krishtlindjeve. 28 hetuesit e parë kanë filluar punën në BKH. Jam shumë krenar që sot pas dy vitesh po shikojmë rezultatet e para të luftës së nisur nga institucionet e reja ligjzbatuese në Shqipëri si SPAK apo BKH, kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër korrupsionit në nivele të larta. Një bilanc i fortë po ndërtohet përsa i përket ndjekjeve penale të nivelit të lartë dhe SPAK është pjesë e një numri në rritje të këtyre hetimeve. Frika tashmë ka kaluar nga ana tjetër, nga kriminelët dhe politikanët, pasi ishte në anën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët stepeshin përpara kriminelëve. SPAK e ka ndryshuar lojen. Është thelbësore që të ruajmë fokusin, duhet të jemi të përqendruar në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe këtu kemi parë hapa inkurajues.”



