Kryeministri Edi Rama i kushtëzon zgjidhjen e problemit të naftëtarëve me daljen nga greva e urisë. Prej më shumë se dy javësh në grevë, naftëtarët e Ballshit kërkojnë pagat e prapambetura dhe rihapjen e rafinerisë. Pasi naftëtarët iu drejtuan me letra ILO-s, OSBE-së dhe BE-së, Rama është shprehur i hapur për t’u ulur në bisedime, por me kushtin që grevës t’i jepet fund.
“Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh, sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim! Ideja se duke u futur në grevë mund t’i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t’u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht”, shkruan Rama.
Ditën e sotme, Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar iu drejtua me anë të një letre Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri.
Përmes kësaj letre kjo sindikatë, vë në dukje kushtet e vështira me të cilat përballen naftëtarët dhe mbarë komuniteti i Ballshit, pagat e prapambetura dhe pezullimin e punës prej më se një viti.
Sindikata ka bërë thirrje për vënien në zbatim të vendimit të gjykatës që u rikthen pagat punëtorëve dhe kërkon mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare në ushtrimin e presionit qeverisë shqiptare për gjetjen e zgjidhjes.



