
Moti i keq që ka përfshirë Greqinë ka shkaktuar përmbytje të shumta, veçanërisht në Athinë, ku reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur rrugë dhe kryqëzime, duke sjellë edhe humbjen e dy jetëve njerëzore.
Gazetari nga Greqia, Etmond Guri, në një lidhje për “MCN Live”, theksoi se kjo situatë e rëndë u shkaktua si nga intensiteti i reshjeve, ashtu edhe nga ndërhyrjet e pakontrolluara urbane ndër vite.
Pamjet e ardhura nga qendra e kryeqytetit grek tregojnë situatën e rënduar nga reshjet intensive, të cilat në disa zona kanë arritur deri në 200 mm shi.
Kjo situatë e rëndë u shkaktua si nga intensiteti i reshjeve, ashtu edhe nga ndërhyrjet e pakontrolluara urbane ndër vite, që kanë penguar rrjedhën natyrore të ujërave.
Sipas Gurit, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë kanë funksionuar paralajmërimet në kohë nga autoritetet, çka ka ndikuar ndjeshëm në shmangien e viktimave të tjera.
Mbrojtja Civile ka njoftuar qytetarët në kohë për rrezikun që po vinte, duke u kërkuar atyre të shmangin daljet e panevojshme nga banesat.
Autoritetet greke kanë marrë masa parandaluese, përfshirë mbylljen e shkollave dhe kufizimin e qarkullimit në zonat më të rrezikuara, ndërsa i gjithë mekanizmi shtetëror është vënë në alarm. Paralajmërimet e vazhdueshme dhe reagimi i shpejtë kanë ndihmuar në minimizimin e pasojave njerëzore, megjithëse dëmet materiale llogariten në miliona euro.
Për ditën e sotme, parashikimet flasin për përmirësim të situatës, me reshje lokale dhe pa rrezik të lartë për përmbytje, ndërsa autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri.



