
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në emisionin Të Paekspozuarit i ka konsideruar primaret e Partisë Demokratike, si "të mrekullueshme" dhe "demokratike".
Përballë dy kandidatëve për primaret e Kamzës, Asllan Dogjani dhe Shemsi Prençi, të cilët e kontestojnë procesin, Noka tha se mund të ketë pasur disa parregullsi, por i shpalli të shkëlqyera primaret.
Çfarë janë primaret? Janë suksesi më i madh i demokracisë. Ata zotërinj i kam miq. Është një degë që mund të ketë patur problem me lista. Është nga degët e vetme që kandidatët kanë plotësuar pafund formularë. Mund të ketë patur defekte dhe gabime. Por, çfarë janë primaret? Flasim për primare në një vend ku ka monizëm që emëron, dikton dhe ka zhdukur votën. Ju merreni me defekte në një zonë.
Në një vend ku ka monizëm, primaret janë shpresë për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë. Kjo është. Primaret janë histori suksesi. Ku mendon, në çfarë vendi po aplikohen, është mrekulli! Ju kapeni që në një degë ka patur disa probleme. Ne jemi PD që kemi pasuruar listat votim pas votimi. Është parti që në 23 mars, nuk kemi gjetur asnjë listë anëtarësie. Listat janë duke u përpunuar dhe perfeksionuar.



