Kryetari i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë Taulant Bino e konsideroi një gjuhë të fortë atë të BE-së, që ka kërkuar së fundmi anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ndërkohë që vendi ynë hapi grup-kapitullin “Agjenda e Gjelbër”.
Duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv, Bino u shpreh se ndonëse qeverisë i jepet një farë kohe, s’ka për të qenë e lehtë, pasi presioni i Brukselit do të shtohet.
Ai vë në dukje se ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura është i kontestueshëm në shumë pika, të tilla si lejimi i investimeve për të ashtuquajturin turizëm ekselence, apo heqja zonimit për peizazhet e mbrojtura, ku i hapet rrugë ndërtimeve.
“E shikoj pozicionin e BE-së si pozicion relativisht të fortë, duke kuptuar gjuhën me të cilën flasin institucionet europiane. Ata shprehin jo vetëm shqetësimin e palëve, organizatave mjedisore, por shprehin shqetësimet e tyre për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, apo shtyrjen e afateve për ligjin e investimeve strategjike. Sepse sikurse thonë ekspertët mjedisorë në Shqipëri, por edhe BE-ja vet, presin që këto ndryshime të favorizojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe humbjen e integritetit ekologjik të zonave të mbrojtura.
Si gjuhë e përdorur, është gjuhë e fortë, dhe nëse do isha në qeveri do të ishte gjuhë shqetësuese. Në negociatat në vijim, çështje si ligji për zonat e mbrojtura dhe ligji për investimet strategjike do të ngrihen nga BE-ja. Ligji është i kontestueshëm në shumë shumë pika.
Më themeloret janë parimet që ligji fut, s’janë parime për zonat e mbrojtura, duke e kthyer më shumë në ligj turizmi. Psh. Nëse një zonë humbet funksionet e veta, mund ta humbasë statusin zonë e mbrojtur. Heqja e zonimit për disa kategori të zonave të mbrojtura, psh. Zona e peizazhit të mbrojtur s’ka më zonim, i jepet shkalla e tretë e mbrojtjes, shkallë jo fort e mirë. Liqeni i Ohrit apo Velipoja humbasin çfarëdo lloj mbrojtje.
Investimet në turizmin e ekselencës dhe infrastrukturës mbështetëse mund të lejohen në çfarëdo zonë të mbrojtur, pa kurrfarë kufizimi nga pikëpamja e zonimit. Nëse do ketë kërkesë për investim në pyllin e Karavastasë dhe lagunën e Karavastasë, do të lejohet sepse s’ka asnjë kufizim. Çfarëdo investimi që quhet turizëm i ekselencës. Është gjuhë e forte nga BE, dhe BE do kërkojë në mënyrë të vazhdueshme shfuqizimin e neneve për zonat e mbrojtura, që sipas ekspertëve cenojnë integritetin ekologjik të zonave të mbrojtura. I jep një fare kohe qeverisë, por s'ka për të qenë e lehtë”.



