
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot në Baku të Azerbajxhanit se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka nevojë të marrë vendime të rëndësishme politike në vend, por ka të drejtë të paraqesë qëndrimin e saj.
I pyetur pse shteti fajëson Kishën Serbe për Kosovën, Vuçiç tha se “Kishës nuk ia mohon të drejtën për të shprehur opinionin e saj, por ai nuk duhet të bjerë dakord me çdo deklaratë të përfaqësuesve të Kishës”, raporton mediat serbe.
“Unë nuk e fajësoj Kishën. Por, kjo nuk do të thotë se unë gjithmonë duhet të pajtohem me deklaratat e cilitdo përfaqësues të Kishës. Ne jemi një shtet laik, shumë i respektoj, unë nuk jam ndonjë besimtar i madh, por jam besimtar”, tha Vuçiç.
Kisha Ortodokse Serbe më 10 maj shpalli mesazhin e fundit të Kuvendit të Shenjtë të Peshkopëve, ku thuhet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë qendrore”, dhe e cila u bën thirrje zyrtarëve serbë “që asnjëherë nuk duhet të japin pëlqimin për tjetërsimin e Kosovës dhe Metohisë”.
Vuçiç ka reaguar ndaj kësaj deklarate më 11 maj, duke thënë se e respekton pozicionin e Kishës, por se nuk e sheh se çfarë zgjidhjeje ajo ofron, duke shtuar se konflikti i ngrirë me Kosovën nuk është zgjidhje dhe se është e nevojshme për të arritur një kompromis, shkruan Telegrafi.



