
Jehon Breçani, djali i ish-drejtorit të Policisë së Tiranës i arrestuar pas aksidentit të ndodhur rreth tre javë më parë në zonën e Kinostudios në Tiranë, ka mundur t’i shpëtojë burgut. E dëmtuar rëndë nga ky aksident mbeti një këmbësore 23-vjeçare, e cila humbur njërën këmbë. Por, i dëmtuar ka mbetur edhe vetë Jehon Breçani, ndërsa mjeti luksoz që ai drejtonte humbi kontrollin dhe u përplas me një pemë në trotuar.
Këtë të martë, Gjykata e Tiranës vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për Breçanin, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Shkak sipas gjykatës për këtë ndryshim masë sigurie, është bërë gjendja shëndetësore e të riut. Nëpërmjet një raporti mjeko-ligjor, gjendja e tij shëndetësore nuk e lejon të qëndrojë në një ambient burgu, por atij i rekomandohet qendrimi në shtëpi. Dhe kështu gjykata veproi. Pas këtij vendimi, mësohet se Prokuroria ka bërë apelim të masës.
Ndërkohë, kujtojmë si ndodhi aksidenti i rëndë. 23-vjeçarja, Xhesina Gega ka qenë duke ecur në trotuar kur 19-vjeçari ka humbur drejtimin e makinës luksoze tip “Benz”, që i jepte me shpejtësi dhe ka përplasur të renë, duke i këputur njërën këmbë dhe duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe fytyrë. Përplasja ka qenë e fortë dhe identifikimi i 23-vjeçares është bërë me shumë vështirësi për shkak të plagëve të marra. I riu i është nënshtuar testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike dhe shkak i aksidentit dyshohet se ishte shpejtësia e lartë.



