
Kryetari i shoqatës “Pro-Export” Edvin Prençe tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se forcimi i lekut është vrastar dhe i rrezikshëm jo vetëm për eksportuesit, por për të gjithë ekonominë.
Sipas Prençes është detyrë e Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë veprime në mënyrë që të krijojë qëndrueshmëri në kursin e këmbimit, por shtoi se ky institucion nuk po bën asgjë për ta përmirësuar situatën.
Situata sa i përket kursit të këmbimit apo forcimit të lekut do të rëndohet. Mendoj se tashmë mungojnë pak pikë për të zbritur 900 lekëshin, do të ishte vrastare dhe e rrezikshme jo vetëm për eksportuesit, por për të gjithë ekonominë shiqptare . Nga ana e Bankës Shqipërisë ka një fjetje, gjumësi. Ndoshta ata po mundohen të bëjnë diçka, por kjo nuk po pasqyrohet. Dëmi ekonomik është më shumë evident dhe për prodhuesit vendas, sidomos dhe tani me turizmin që ka shumë paketa të shitur më parë.
Të dhënat e INSTAT e shprehin qartë që ka një rënie akoma më të madhe të eksporteve, sidomos atyre të sektorit tonë. Si mund të shkohet para në një vend që nuk promovon eksportet që mbajnë ekonominë?
Humbja aktuale është 80 euro për punonjës ose 5 milionë e 600 mijë euro në muaj.



