Invalidët e punës janë mbledhur në protestë paraditen e sotme para Ministrisë së Financave, pas shkresave të përsëritura drejtuar kësaj ministrie për mbështetje ndaj tyre.
Shkresa e fundit mban datën 21 shtator 2022, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme invalidët kanë kërkuar indeksimin e pensioneve, rimbursimin e energjisë elektrike, dhënien e një vlere prej 500 lekësh që është premtuar në buxhetin e vitit 2020, rritjen e ndihmës së paaftësisë me 1 mijë lekë nga viti 2013, kalimi i ndihmës së paaftësisë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe zbatimin e ligjit për përjashtim nga taksat.
Po ashtu invalidët kanë kërkuar rimbursim për medikamentet e paaftësisë, zbatimi i ligjit për transportin urban dhe interurban. Janë 75 mijë invalidë pune me moshë mesatare 49.1 vjeç, pa përfshirë paraplegjikët dhe kategori të tjetra.
Njëri prej tyre tha për mikrofonin e MCN TV se vjen nga Permeti në protestë, duke rrëfyer se është me diabet dhe ka pësuar trombozë në të dyja këmbët.
Nga viti 2020 kam dalë në kemp nga doktorët, vij në Përmet në komision më mashtron ai i sigurimeve, më dogjën dhe më thonë nuk më takon kempi. Marr kemp social 130 mijë lekë, kur marrë gjilpëra e ilaçe 290 mijë lekë. Kjo është qeveri me dy standarde! Vij në Tiranë më thonë tjetër gjë, më thonë duhet të kesh kaluar infarkt, po unë po kalova infarkt vdes. Po me 130 mijë lekë e përballoj dot jetën, kur marr ilaçe 290 mijë lekë. Nga Ministria e Financave jemi shumë në harresë. Qeveri me dy standarde, punon për oligarkët, kurse ne invalidët na ka lënë në harresë. Rroga më e ulët për ne duhet të jetë të paktën 300 mijë. A ka mëshirë ky shtet për ne, më mirë të thotë nuk kam nuk jap, vdisni. Do i përshkallëzojmë protestat. Unë i mbytur jam, më mirë të më fusin brenda do ha një kothere bukë.
Kryetari i shoqatës së invalidëve të punës, Abdulla Omuri, deklaroi nga ana e tij se qeveria po i përçmon.
Nuk është e drejtë që ne me aftësitë tona tepër të kufizuara të vijmë në protestë. Ky dikaster na diskriminon, na trajton një të nënës dhe një të njerkës. Na diskriminon që nga rimbursimi i energjisë elektrike. Përçmimi ky është, nuk ulen të shkruajnë të na kthejnë një përgjigje, shkresa e fundit është e 21 shtatorit, ky është përçmimi, nuk na llogarisin.



