
Atmosfera festive për shënimin e 28 Nëntorit kulmon edhe në Durrës.
Korrespondentja Ervina Garo, për “MCN Live”, sjell në vëmendje organizimet e shumta festive dhe pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve nga Kosova, të cilët kanë prenotuar hotele dhe restorante në qytet.
Durrësi është veshur kuq e zi, aty ku 113 vite më parë ceremonia e ngritjes së flamurit u zhvillua më 26 nëntor.
Festimet kanë vijuar përgjatë gjithë javës me një kalendar aktivitetesh që kanë si emërues të përbashkët historinë dhe identitetin e popullit shqiptar.
Edhe pse kushtet atmosferike kanë ndikuar disi në organizime, aktivitetet nuk kanë munguar, sidomos në institucionet arsimore ku janë hapur ekspozita me motiv ngritjen e flamurit. Festimet do të kulmojnë mbrëmjen e sotme me një koncert festiv në orën 19:00.
Durrësi ka pasur një numër të lartë vizitorësh gjatë këtyre ditëve, ku ndër më të shumtit janë bashkatdhetarët nga Kosova.
Tur-operatorët raportojnë se kapacitetet hoteliere janë të zëna deri në 90%, duke e kthyer qytetin bregdetar në një prej destinacioneve më të frekuentuara në këtë festë kombëtare.



