Të pandehurit janë ftuar të paraqiten në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve të mërkurën e kësaj jave. Mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës do paraqiten ditën e mërkurë.
Së bashku me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.
Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
Një ditë me vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja si dhe financieres Andia Pustina.
Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani” ishte data 2 tetor. Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga Taulant Balla.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije:
“Procedurialisht do të thotë që s’ka më hapësirë për hetime të mëtejshme, përveç provave dhe deklarimeve që mund të dalin në seancë. Gjykata do vendosë maksimumi deri javën tjetër nëse do të marrë të pandehur Berishën, Malltezin. Më pas do ketë një pyetje ndaj palëve, nëse duan gjykim të shkurtuar apo të zakonshëm".



