Një sasi e konsiderueshme kanabis është sekuestruar nga policia në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë. Lënda narkotike ishte fshehur mes një ngarkese me paleta druri në rimorkion e një trajleri.
Në pranga është vënë shtetasi maqedonas, Nikola Damcheski, 40 vjeç, drejtues i mjetit të tonazhit të rëndë. Pritet që policia të bëjë të ditur peshën e lëndës së sekuestruar.
Njoftimi i policisë
“Shtetasi i mësipërm është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë me një mjet tip trailer të markës “Volvo”me targa OH9622AB dhe Rimorkio me targë OH0696AC, në të cilën ishin të imbarkuara baleta druri. Ky mjet u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë dhe më pas në skaner. Gjatë procesit të skanimit u shfaqën dyshime se në mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike.
Nga kontrolli i detajuar, në pjesën e brendshme të çdo balete u konstatuan vende të përshtatura, në të cilat ishin fshehur kuti plastike (me ngjyrë të zezë)të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa.
Ky mjet është transportuar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ku nga ana e Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet po vijon puna për nxjerrjen e çdo kutie me lëndë të dyshuar narkotike dhe peshimin e saktë të kësaj sasie, si edhe thellimin e hetimeve lidhur me këtë linjë të trafikut ndërkombëtar”.



