
Dyshime të tjera po hidhen kundrejt pilotit 32-vjeçar grek që vrau gruan e tij 20-vjeçare pak javë më parë. Sipas mediave greke, policia po verifikon disa të dhëna nëse Babis Anagnostopoulos mund të ketë lidhje edhe me vdekjen e mistershme të pronarit të një restoranti, i cili ishte miku i tij.
32-vjeçari e mbyti Caroline Crouch, me një jastëk në sytë e vajzës së tyre të vogël dhe u përpoq të devijonte hetimet e policisë nga vetja, nën pretendimin se krimin e kishte kryer një bandë fantazëm grabitësish të dhunshëm. Tani po verifikohet nëse Babis, siç njihej ndryshe, ka lidhje me vdekjen e 53-vjeçarit Stavros Dogiakis, i cili u gjet i pajetë në 22 qershor me një plagë plumbi në kokë. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por miqtë e 53-vjeçarit pyesin sesi është e mundur që ai kishte plagë edhe në kokë, dhe në gjoks. Dogiakis ishte fqinj i çiftit në Athinë, ndërsa Caroline dhe Babis e frekuentonin rregullisht restorantin e tij.
Policia po fokusohet edhe tek të ardhurat e pilotit, që bënte pushime ekzotike, qëndronte nëpër hotele shumë të shtrenjta dhe kishte motoçikleta mjaft të kushtueshme në një kohë kur rroga e tij ishte 3 mijë euro në muaj. Vendosja e 32-vjeçarit në seksionin e krimeve jo të dhunshme të Koridhalosë ka shkaktuar së fundmi edhe zemërim tek qytetarët grek.



