Në seancën gjyqësore për dosjen “Gërdeci”, mbrojtja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar përjashtimin nga procesi të përfaqësuesve ligjorë të viktimave, duke pretenduar se ata përfaqësojnë një shoqatë të financuar nga fondacioni “Soros”.
Avokati i Mediut, Ardian Visha, deklaroi në sallën e gjyqit:
Ne vlerësojmë se legjitimimi i palëve të viktimave në proces është marrë në shkelje. Përfaqësuesi ligjor i palës së viktimave, është drejtues njëkohësisht i një shoqate që financohet nga SOROS, dhe klienti im përfaqëson një subjekt politik që ka shprehur qëndrim të hapur kundër Soros.
Sipas Vishës, organizata në fjalë është krijuar posaçërisht për të ushtruar ndikim mbi këtë çështje:
Kjo organizatë, përveç kohës kur është krijuar, ka ushtruar ndikim të dukshëm për të hapur këtë çështje.
Edhe vetë Fatmir Mediu reagoi duke theksuar se procesi po përdoret politikisht:
Nuk e shoh si një moment për të bërë politikë, se politikë dhe proces politik po bëhet këtu. Si ka mundësi prej 1 viti e gjysmë nuk marrim asnjë përgjigje për kërkesat që kemi bërë, dhe përderisa nuk vlerësohen si mund të jetë ky një proces ligjor i rregullt. Nëse e injoroni si fakt prezencën e një shoqate të krijuar në kohën që u hap ky proces dhe posaçërisht për të fryrë dhe mbingarkuar opinionin publik mbi këtë çështje.
Gjithçka që bëhet në këtë sallë ka vetëm një qëllim, për të bërë gjyq publik. Meqë tragjedia krijon gjithmonë opinion. Nëse keni vendosur të gjykoni me opinionin jo me procedurë e kod penal, atëherë ky proces ka dështuar. Nuk pranoj që në emër të familjarëve të bëhet politik, asgjë s’kam me familjarët madje jam i hapur ndaj tyre për çdo pyetje që kanë. Nëse drejtësia do donte të bënte drejtësi ka disa dokumente mbi gjithë procesin e demontimit.



