Analisti Mentor Kikia, komenton faktin që 20 kompani kanë përfituar miliarda nga inceneratorët, ndërsa shprehet se kjo është një gropë e madhe apo landfill që po ti heqësh dheun që e ka mbuluar, del gjithë pisllëku që gjendet brenda.
Ai tha për MCN Tv se nuk mendon se arrestimi i Alqi Bllaksos duhet të jetë i fundit, pasi shtoi se aksioni i deritanishëm i drejtësisë, është përqendruar te një institucioni vetëm, tek Ministria e Mjedisit.
Kikia deklaroi se disa zyrtarë të lartë të ministrisë u dërguan në burg të martën, por nënvizoi se inceneratorët nuk ishin as projekt dhe as investim i ministrisë së Mjedisit por i një sërë institucionesh.
Ministria e Financave, duhet të kërkonte më shumë informacion para lëvrimit të parave, ministria e Ekonomisë duhet të kontrollonte zbatimin e projekteve që nëse do ishte bërë do ishin zbuluar allishverishet mes partnerëve dhe projekteve. Nuk mundet që të jetë zoti Bllako përgjegjësi i fundit në listën e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi penale për këtë katrahurë, pasi ka një mënyrë arrogante edhe të vjedhjes. Njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë skemë, nuk janë kujdesur fare edhe të mbrohen. Partitë në Shqipëri, gjatë rekrutimit të kandidatëve për kryebashkiakë dhe deputetë kur gjendeshin përballë të papriturave ligjore, liderat e tyre apo zoti Rama thoshte ‘nuk mbaj përgjegjësi për këtë’, nëse rezultojnë të inkriminuar, largohen. Është një sëmundje nga e cila ka vuajtur në mënyrë sistematike politika shqiptare. Në rastin e zotit Bllako kur ka kandiduar për deputet, nuk ishte as i akuzuar dhe as person nën hetim. Tërhoqi vëmendjen akrobacia politike, ku nga një parti kaloi tek tjetra, por ky cirk politik është i vjetër. Partitë në Shqipëri janë gati të bashkëpunojnë me gjithkënd për të siguruar që të kenë pas vete njerëz që duhet të kenë vetëm një mision, të sigurojnë vota.
Lidhur me distancimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili flet për përgjegjësi personale, Kikia deklaroi se në aspektin teorik kjo është një gjë e drejtë dhe se përgjegjësia padiskutim që është personale, nëse rrugës një deputet apo drejtor do të mbajë përgjegjësi.
Por sipas tij, çështja e inceneratorëve del përtej përgjegjësive personale, duke shtuar është ndryshe një zyrtar i lartë që merr ryshfet për të bërë një veprim në kundërshtim me ligjin, ku kjo tha se është padyshim një përgjegjësi personale thellësisht dhe në mënyrë absolute asnjë titullar nuk mund të ketë përgjegjësi.
Në rastin e inceneratorëve, kalohet përgjegjësia e një individi dhe disa institucioneve, pasi ishte një investim me përmasa shumë të mëdha për kushtet e ekonomisë shqiptare, ishte i kontestuar masivisht. Ishte një investim që u shoqërua me komente dhe kontestime të shumta, pa ditur ende përmasat reale të investimeve. Mundësia për të ndërhyrë, ka qenë e gjitha që të mos shkohej deri në këtë shkallë. Mendoj absolutisht si zoti Rama, se nuk ka nevojë për të bërë ndryshime në qeveri! S’ka kuptim ndërrimi i një ministri me një tjetër, pasi do zbatojnë një plan qeverisës që s’është në dorën e tyre. Ndryshimi i emrave shpesh ka bërë dhe më keq se sa më mirë. Nuk besoj se do prodhohej ndonjë gjë më ndryshe. Realisht nuk ka nevojë për ndryshime, nuk ka nevojë për të ndryshuar një ministër, apo zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje do i fitonte ai, në kushtet kur opozita s’ka vënë as derën e selisë së partisë, ose në rastin më të mirë do vinte për shkak të nevojës të largimit të qeverisë që kemi. Do mandatonim një opozitë të cilës nuk i kemi parë asnjë lloj programi.
Kikia deklaroi ndër të tjera se nevoja është se nuk duhen ndërruar qeveritë, një e korruptuar me më pak të korruptuar, pasi e keqja më e vogël është rritur shumë shpejt dhe është bërë më e madhe dhe në 2025 mund të përballemi me alternativë tre njerëz që kanë rreth 35 vjet në politikën shqiptare, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Duhet ndërhyrë për të shkatërruar shtratin ku vegjeton politika. Në këtë vend nuk vidhet më me duar dhe ryshfet por me ligj. Kësaj praktike i kanë shërbyer të gjithë bashkë.
Për deklarimin e Alqi Bllakos si bashkëpunëtor të drejtësisë, Kikia tha se vlen për organizatat e krimit ordiner, trafikantët e drogës dhe vrasësit, ku një bashkëpunëtor mund të hedh poshtë një organizatë mafoze.
Në këtë rast s’ka nevojë për të penduar, në këtë rast korrupsioni ka letra, kush ka vepruar kundërshtim me ligjin, kush e ka shitur ligjin. Mbroj idenë se nëse çështja e inceneratorëve hetohet seriozisht deri në fund, qeveria bie dhe nuk di se deri ku mund të shtrihen tentakulat edhe në kampin opozitar. Çështja është shumë më e madhe nga sa duket dhe me sa duket nuk do të shkojë deri në fund por do të mjaftohet me ndëshkime të pjesshme.



