
Në Shqipëri, gjatë vitit 2018, 5000 biznese kanë shpallur falimentin, ndërsa vetëm në muajin prill, ishin 1262 të tillë që dolën nga tregu. Nëse mesatarja përgjatë 3 muajve të parë rezultonte me 40 subjekte të mbyllura, në prill ajo u rrit me 42 të tillë. Drejtoria e Tatimeve dhe Ministria e Financav kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizimi dhe këshillimi, duke hequr dorë nga penalizimet për kategorinë e biznesit të vogël, por mesa duket për këtë grup sipërmarrësish, kjo nuk ka qenë një arsye bindëse për të zgjatur aktivitetin.
Në sondazhet e zakonshme që bëhen, në arsyet për pezullimin e aktivitetit, sipërmarrësit përmendin krizën ekonomike, rënien e fuqisë blerëse, konkurrencën dhe barrën fiskale, ndërsa gjatë prillit shumë prej tyre deklaruan kosto të shtuar nga TVSH-ja dhe mbarëvajta e biznesit, madje duke protestuar me mbështetjen e shoqatave të biznesit dhe opozitës. Në tabelën e Tatimeve për prillin, sipas qarqeve, rezulton se Tirana, Durrësi e Fieri kanë largimet më të mëdha ku vetëm në kryeqytet janë mbyllur 500 subjekte.
Në një deklaratë të bërë nga Tatimet, thuhet se në shumë raste pas pezullimit apo mbylljes së një biznesi, hapet një tjetër po në të njëjtin vend nga njerëz të afërm me pronarin e biznesit të mëparshëm, një veprim ky që sipas institucionet është bërë për t’ju shmangur taksave dhe për çdo rast do të kryhen verifikime, madje me sanksione sipas rregullave në fuqi, ndërsa kujtojmë se edhe FMN e ka kundërshtuar nismën e qeverisë, duke shpjeguar se zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave dhe sipërmarrjet e vogla do të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.



