Një ngjarje tronditëse u zbulua sot në kryeqytet, ku një 35-vjeçar mbante të kyçur në banesë, gruan, vajzën e mitur si dhe nënën e tij, duke mos i lejuar të dilnin nga shtëpia sa herë ai largohej. Alfred Muharremi, drejtori i zyrës së Shërbimit Social Shtetëror Tiranë, tha se në lidhje me rastin në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk ka pasur një denoncim, dhe policia është vendosur në lëvizje pas informacioneve nga psikologët e shkollave. Në lidhje me rastin e zbuluar sot, Muharremi bën me dije se kryefamiljarja dhe e mitura janë në gjendje të mirë dhe po marrin ndihmën e nevojshme.
Faktikisht është një rast i izoluar. Jemi informuar nga organet kompetente. Për çdo lloj rasti ku ne kemi prezencë të dhunës në familje, apo trafikimit, kryesisht ne raportimin më të madh në të gjithë qarkun e Tiranës e marrim nga policia, pasi është organi kompetent dhe organi i parë ku adresohen të tilla problematika, përpos linjave të ndryshme që ne kemi. Jemi njoftuar nga policia, menjëherë komisariati dhe mekanizmi i koordinimit të referimit të dhunës në familje po merren me trajtimin me seriozitet të rastit. Është një procedurë 48 orë që shkon deri në marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes për fëmijët dhe zonjën. Kjo ndiqet në operim me koordinatorin e dhunës dhe punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve, që është i atashuar në çdo njësi administrative. Aktualisht është duke ndjekur rastin”
I pyetur nëse ka pasur denoncime mbi rastin në njësinë bashkiake në zonë, Muharremi thotë:
Në dijeninë time s’ka asnjë denoncim të rastit. Kryesisht policia është vendosur në lëvizje duke pasur një informacion nga psikologët e shkollave. Për këtë arsye ne kemi mekanizmin e koordinimit, që përpos punonjësit të mbrojtjes së fëmijëve, përpos agjencisë së mbrojtjes së fëmijëve, përpos linjave zyrtare, si linja e këshillimit për gra dhe vajza apo Alo 116, që janë dy mekanizma ku fëmijët mund të reklamojnë problemet e tyre, kryesisht ne denoncimet i marrim edhe nga mjekët e familjes, edhe nga mjekët e qendrave universitare, apo edhe psikologët e shkollës. Për këtë rast s’kemi informacion. Është marrë informacioni edhe nga ana e njësisë, që ka pasur një informacion të izoluar. Kryesisht reklamimet e rasteve të abuzimit dhe dhunës duhet të na vijnë edhe nga vet komuniteti. çdo njësi administrative ka të atashuar një ndërlidhës me komunitetit, që njeh pothuajse të gjithë banorët, në këtë rast s’kishim një informacion të tillë”.
Në momentin që ata merren në mbrojtje, punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve, së bashku me psikologë dhe gjithë koordinimit e referimit, janë pranë fëmijës, bëhet një intervistë e thelluar në lidhje me problematikën, përse jemi në këtë situatë, a ka një dhunë realisht, dhe është akoma në fazë hetimi. Ata merren menjëherë në mbrojtje. Është një ambient emergjence që ne e disponojmë në bashkinë e Tiranës. Në 72 orë ai është i mbyllur, ka gjithmonë intervistim nga psikologë apo punonjës socialë. Në fund është gjykata që vendos urdhrin e mbrojtjes. Ne kemi një qendër kombëtare, ku zonja dhe fëmijët do jenë në këtë qendër që do marrin gjithë shërbimin e nevojshëm për kalimin e fazës.
Si të miturit dhe kryefamiljarja janë në gjendje të mirë. Ne po i japim të gjithë sigurinë e mbështetjes totale dhe për këtë janë disi më të qetë. Deri më tani s’kemi informacion që të ketë pasur asnjë denoncim. Ka qenë një rast i izoluar që jemi informuar nga policia. Shërbimi social shtetëror bëjmë fushata komunikimi për parandalim dhe kryesisht komunikimi mediatik, që t’i përgjigjemi sa më shpejtë kësaj nevoje. Media është partneri kryesor në fushatën e komunikimit, sepse vetëm përmes medias mund të prekim të gjithë dëgjuesit. Fushatat bëhen çdo muaj. Vetëm në qarkun e Tiranës menaxhojmë 962 raste të dhunës në familje, vetëm 253 janë me urdhër mbrojtje. Memaxhimi vjen që në rastin që ndodh dhe zgjat 2-3 vite. Ndërlidhësi i komunitetit është faktori kyç që na ndihmon për të marrë një informacion për çdo familje. Në lidhje me rastet e viktimave të dhunës dhe trafikimit bashkëpunimi me policinë dhe bashkinë është shumë i mirë. I gjithë mekanizmi i referimit bën mbledhje çdo muaj për të ditur dinamikën e rasteve”.



