Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në kuadër të situatës së krijuar nga përhapja e variantit të ri në shumë vende të botës, këtë të mërkurë ka qenë në Arenën Kombëtare ku vijon procesi i vaksinimit.
Në fjalën e saj, Manastirliu është shprehur se për momentin nuk ka asgjë për tu shqetësuar dhe se në vijim të situatës do të rishikohen dhe masat kufizuese.
Gjithashtu ajo vuri theksin te vaksinimi i të rinjve, kryesisht mbi 16 vjeç, duke thënën se kjo është e rëndësishme për shtrirjen e vaksinimit.
Në Tiranë e kudo fokusi duhet të jetë te të rinjtë te grupmosha +16 vjeç, pasi siç shihet dhe në vendet e tjera të botës target është mosha e re. Ne duhet që të mundohemi dhe duke bërë sa më shumë apel për vaksinimin e të rinjve. Edhe tani me variantin e ri ka shumë të dhëna që priten në vijim, por ajo që kërkohet nga të gjithë është vaksinimi.
Ne duhet që të zbatojmë dhe masat aktuale, siç është vaksinimi, maskat në ambientet e mbyllura, distanca sociale dhe higjena. Nuk duhet që të bëjmë panik, por ne po analizojmë zbatimin e masave dhe duke pasur parasysh dinamikën e situatës, do të marrim dhe masat e nevojshme, për të vlerësuar vendimet në të ardhmen.



