Shkollat e reja, përsëritet gabimi i “Kosovës” në fasadën e “Servete Maçit”

Shkollat e reja, përsëritet gabimi i “Kosovës” në fasadën e “Servete Maçit”

Një ditë më parë, në kryeqytet u inaugurua shkolla “Servete Maçi”. Në ditën e parë të vitit shkollor, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj zgjodhën pikërisht këtë institucion arsimor për t’u uruar nxënësve dhe stafit pedagogjik një vit të mbarë.

Shkolla “Servete Maçi” është ngritur në të njëjtin truall, ku ka qenë më parë shkolla e vjetër me të njëjtin emër. Rasti i saj i ngjan atij të shkollës “Kosova”, e cila u inaugurua me bujë një vit më parë, pikërisht më 17 shtator, ditën e parë të vitit shkollor.

Por të dy shkollat 9-vjeçare kanë edhe një ngjashmëri tjetër.

Një vit më parë, në inaugurimin e shkollës “Kosova”, ra në sy një gabim drejtshkrimor në emërtimin e saj, në pjesën ballore të ndërtesës. Nuk ishin të paktë ata që vunë menjëherë në dukje se rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe nuk ishin respektuar siç duhet. Diçka jo e vogël kjo kur është fjala për një institucion që gjuhën shqipe e ka njërën prej lëndëve bazë të edukimit të nxënësve.

Një vit më pas, historia është përsëritur.

Në inaugurimin e djeshëm, sërish u vu re e njëjta gafë me emërtimin e shkollës: mungon viza lidhëse dhe thonjëzat.   

Sipas “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, shkruhen me vizë lidhëse në mes emërtimet e përvjetorëve dhe formimet e ngjashme me to, kur numërori shënohet me shifër: 100-vjetori i Pavarësisë; shkolla 9-vjeçare; 15-ditëshi i parë i shtatorit etj.
Ndërsa në bazë të “Rregullave të pikësimit të gjuhës shqipe”: Në thonjëza vihen edhe emrat e përveçëm a togfjalëshat që emërtojnë rrugë, bulevarde, sheshe, stadiume, lagje, hotele, kinema, teatro, hidrocentrale, shkolla, shoqata etj. Për shembull: shkolla 9-vjeçare “Liria”, shkolla 9-vjeçare “Vasil Shanto”, shkolla 9-vjeçare “Dëshmorët e lirisë”, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, gjimnazi “Qemal Stafa” etj.

Një vit më parë, gabimi u korrigjua dy ditë pas inaugurimit të shkollës “Kosova”.

Mesa duket, Bashkisë së Tiranës duhet t’ia kujtojmë sërish se nevojitet i njëjti korrigjim, në mënyrë që nxënësit, të cilët përballen çdo ditë me emrin e shkollës mbi fasadë, të mos e shkruajnë edhe ata gabim. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy