
Qindra njerëz vazhdojnë të presin para bankave të Kabulit me shpresën për të marrë disa para nga bankomatët ose llogaritë e tyre, që kanë qenë të paaksesueshme që kur talebanët rimorën pushtetin në Afganistan. Përplasje janë shënuar para disa institucioneve të kreditit me talebanët, të cilët hodhën gurë për të shpërndarë turmën.
Për më tepër, pothuajse të gjitha rrjetet e internetit dhe telekomunikacionit në Panshir janë ndërprerë nga talebanët. Lajmi bëhet i ditur nga BBC, e cila u referohet burimeve lokale. Panshir është krahina në Afganistanin verilindor që është bërë qendra e rezistencës anti-talebane. Së bashku me Baghlan është zona e vetme që nuk kontrollohet prej tyre.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë qytetarët e tyre në Kabul për një "kërcënim specifik dhe të mundshëm pranë aeroportit". Prandaj, amerikanëve u kërkohet të mos shkojnë në aeroportin në kryeqytetin afgan.



