Një zëdhënës i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, ka thënë në një konferencë për media se raportet e inteligjencës sugjerojnë se presidenti rus Vladimir Putin planifikon të nisë një pushtim të Ukrainës.
“Inteligjenca që po shohim sugjeron se Rusia synon të nisë një pushtim dhe se plani i Presidentit Putin tashmë ka filluar”, u tha zëdhënësi gazetarëve.
Ndërkohë shkeljet e armëpushimit në territoret separatiste lindore të Ukrainës, të mbështetura nga Rusia, u rritën shumë në fund të javës së kaluar.
Ushtarakët në republikat e vetëshpallura popullore të Donetsk dhe Luhansk janë vënë në gatishmëri.
Monitoruesit ndërkombëtarë raportojnë një "rritje dramatike" të sulmeve përgjatë vijës që ndan forcat rebele dhe qeveritare.
Dy ushtarë ukrainas u vranë dhe katër të tjerë u plagosën nga bombardimet të shtunën, vdekjet e para që raportohen në javë.
Ndërsa bëhet me dije se ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të takohen të enjten në Gjenevë.
Gjatë një takimi urgjent të këshillit të sigurisë së Kremlinit, Lavrov tha se kishte folur me Blinken për kërkesat ruse të sigurisë.
Moska kërkon sigurinë perëndimore se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n, duke kërkuar gjithashtu që ajo të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Por Lavrov i tha Vladimir Putinit se vendet perëndimore "nuk janë të gatshme të pranojnë propozimet tona qendrore, veçanërisht gjithçka në lidhje me zgjerimin e NATO-s drejt lindjes". Por ai shtoi se dialogu me Perëndimin duhet të vazhdojë.



