Mes 12 prefektëve të rinj të emëruar sot nga kryeministri Edi Rama, është edhe një grua. Suzana Jahollari është emëruar si prefekte e Tiranës. Ajo është e vetmja grua kolonele në historinë e Shqipërisë.
“Për ta mbyllur me prefektin e Tiranës, e para kolonele në historinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kolonele në rezervë Suzana Jahollari, komandante e Akademisë së Nënoficerëve Tomson, drejtore e drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, me kualifikime në Holandë dhe në SHBA. E aktivizuar në forume të NATO-s, që lidhen me barazinë gjinore dhe çështje të tjera”, u shpreh Rama nga selia e qeverisë teksa prezantoi 12 prefektët e rinj të vendit.
Suzana Jahollari ka një karrierë të gjatë në Ushtri. Në media, ajo është shfaqur rrallë dhe ka folur kryesisht për problemet gjinore ose ato të Forcave të Armatosura.
Megjithatë, të paktën një herë ajo është përfshirë në një çështje të sigurisë kombëtare. Vite më parë, në kulmin e debatit për nënshkrimin e marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, Suzana Jahollari ka mbajtur një qëndrim të qartë. Ajo e ka mbrojtur këtë marrëveshje duke e quajtur në zbatim të konventave të OKB-së.



