
Të paktën pesë persona u vranë dhe mbi 47 të tjerë u plagosen pas një sulmi rus në një qendër të madhe tregtare në Dnipro.

Sipas kryebashkiakut Borys Filatov nga sulmi u dëmtuan edhe dy shkolla, tre kopshte dhe një spital fëmijësh që ndodhej pranë qendrës. Përveç Dnipros bombardime u regjistruan edhe në Kharkiv ku një person mbeti i vrare dhe dy te tjerë të plagosur.
Megjithatë përfaqësues të Forcave ajrore të Ukrainës bënë të ditur se nga 22 drone ruse të lëshuar drejt tyre ato arritën të rrezojnë 21 të tillë.
Si pasojë e sulmeve veçanërisht ndaj infrastrukturës energjitike ukrainase autoritetet raportuan për rreth 5 mijë familje të mbetura pa energji elektrike.
Ndërkohë nga ana tjetër kryeministri Denys Shmyhal bëri të ditur se Ukraina mori një tjetër kredi prej 2 miliardë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me qëllim realizimin e pagesave të mirëqenies sociale dhe dhënien e pagave të mjekëve dhe mësuesve.
Teksa vendi po përballet me vitin e tretë të luftës në Ukrainë numërohen mbi 10 mijë civilë të vrarë dhe rreth 20 mijë të plagosur.



