
Bisedimet dypalëshe të radhës mes Greqisë dhe Shqipërisë kanë shënuar përparim thelbësor.
Takimit i mbajtur në Korçë mes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe homologut të tij grek, Nikos Kocias, është zhvilluar në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, por nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Në një njoftim të përbashkët të dy ministrive, pas përfundimit të këtij raundi diskutimesh thuhet se “në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane”.
Pavarësisht se në deklaratë nuk specifikohen çështjet për të cilat është gjetur dakordësi nga të dy palët, në të theksohet se dialogu mes tyre do të vijojë në të gjitha nivelet në muajt në vijim.



