Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, organizoi në datën 17 shkurt 2020 një Konferencë Donatorësh në Bruksel, ku u garantua një ndihmë prej 1.15 miliard euro, grante dhe kredi të buta.
Tri vjet pas tërmetit të 26 nëntorit, banesa e Fiqiri Hazizllari nga Shijaku, qëndron e paprekur. Dëmtimi i banesës ishte i shkallës DS4, për shëmbje. Bashkia Shijak premtoi rindërtimin e saj,ç`ka sipas qytetarit rezultoi të ishte një mashtrim.
“Nënkryetarja e Bashkisë më thoshte mos ki merak shtëpinë do ta bëjë shteti, do ta bëjë firma. Vetëm inxhinieri që zonja e urbanistikës më dha një numër, erdhi e pa e tha që unë nuk e ndërtoj dot me 20 milionë lekë. Pra, këtu kemi një mashtrim”.
Bashkia e Shijakut pranoi faktin se banori ishte përfitues i një banese 1+1 e cila i kishte kaluar për rindërtim Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Tre vjet pas tërmetit Bashkia Shijak deklaroi se banesa nuk do të rindërtohet,por qytetari do të përfitoj 2.2 milionë lekë për ta ndërtuar vetë atë.
“Shkakun tjetër ne nuk e dimë.Ne e thirrëm xhaxhin që të bëjë procedurat për të përfituar nga grantet e rindërtimit, ç’ka do të thotë që xhaxhi ta bëjë shtëpinë vetë”.
Në prill të 2020 Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri thirrje për rindërtimin e banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre banesave
Në dokumentat e tenderit thuhet:
Kjo kontratë do të konsiderohet kontratë më çelësa në dorë.
Për ndërtimin e një banese individuale 1+1, vlera e parashikuar ishte 2,2 milion lekë pa tvsh.
Objekti i marrëveshjes përfshinte rindërtimin e banesave në territorin e 10 bashkive; Bashkisë Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.
Afati i punimeve ishte 2 vjet.
Në 3 gusht 2020 F. SH. ZH lidhi kontratë me bashkimin e operatorëve, Kevin Construksion sh.p.k , me administrator Lavdrim Gjici, vëllain e kryetarit të Bashkisë së Kuksit Safet Gjici. Company Riviera 2008 sh.p.k me administrator Agim Kola, vëllain e ish -deputetit të partisë socialiste Ndue Kola,
Mela sh.p.k – me administrator Mehdi Lala dhe Pepa Group sh.p.k ku administratore rezulton znj. Violeta Pepaj.
Banesa e z. Fiqiri Hazizllarit gjendej në listën e subjektit “Kevin Contruksion” për tu ndërtuar.
Ne kontaktuam me inxhineren e kësaj kompanie e cila u shpreh: Po, ne e kemi pasur në listë, tani jo të gjitha banesat janë realizuar sepse shumica e banesave kanë pasur vështirësi në terren që nuk mund të shkonte betonieria e të ngjiteshe nëpër kodra dhe kanë pasur konflikte me njëri- tjetrin. Në atë moment ne e kemi menduar si të arsyeshme për ta bërë, sepse të gjithë e dimë se ka qënë një situatë emergjence. Kam dashur ta ndërtoj po s’më ka lënë fondi .
Në përgjigjen e tij Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se për bashkinë Shijak u parashikua ndërtimi/rindërtimi i 793 banesave individuale. Fondi Shqiptar i Zhvillimit në rolin e Njësisë Zbatuese ka përfunduar ndërtimin e 389 banesave individuale në Shijak, ndërsa lista me 404 emra përfituesish të mbetur është në ndjekje nga Bashkia Shijak për trajtimin e tyre sipas nënprogrameve të tjerë.
Procedurat për z.Hazizllari do të nisin nga e para. Ai duhet të aplikoj tani pranë Bashkisë Shijak për përfitimin nga grantet e rindërtimit.
Ndërkohë që tre vjet pas tërmetit, nuk dihet se sa do të zvarritet akoma ky problem.



