Gjatë një bashkëbisedimi në çadrën e protestës, kryetari i PD-së, Basha, u ndal në programin me të cilin demokratët synojnë zhvillimin e ekonomisë në rast se fitojnë zgjedhjet. Basha tha se programi i demokratëve synon të këpusë lidhjet korruptive mes zyrtarëve dhe biznesit, të cilat sipas tij rëndojnë mbi qytetarët e thjeshtë.
“Nuk ka rëndësi nëse je biznes i vogël apo i madh, nuk çan dot po nuk pate mik ministrin, drejtorin e doganave apo taksidarët e tjerë. Ky është fundi i konkurrencës së lirë dhe shkatërrimi i vendeve të punës. Para disa ditësh thashë diçka që ndoshta nuk e kuptuan. Qeveria jonë do të jetë qeveria më përkrahëse për biznesin. Por ministra dhe biznesmenë bashkë, njëri do ta pësojë. Se kur ulen bashkë ata të dy, e pëson qytetari. Konkurrenca e lirë, shteti ligjor, mbrojtja ligjore për aktivitetin e biznesit janë synimet tona. Luftë pa kompromis kundër bandave dhe krimit, konkurrencë e lirë do të jenë pjesë e programit tonë ekonomik”, tha ai.
Basha përmendi edhe rikthimin e taksës së sheshtë, si pjesë e një strategjie që sipas tij do të nxisë rritjen e ekonomisë.
“Parashikohet taksë e sheshtë për të ardhurat mbi 300 mijë lekë. Kjo do të jetë taksa më e ulët në Ballkan, në mënyrë që Shqipëria të ketë klimën ekonomike të duhur për t’u zhvilluar e për të hapur vende pune”, tha ai.



