
Opozita do t’u rikthehet protestave. Në një prononcim pas takimeve të shumta të zhvilluara sot në selinë blu, kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se opozita do ta vijojë betejën. Protesta e radhës do të jetë ajo e datës 8 korrik dhe do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 20:00.
“Dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën, farsën e Edi Ramës më 30 qershor. Dua t’i ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bij nënash shqiptare të na bashkohen ditën e hënë në orën 20:00 të mbrëmjes në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim te vetvetja dhe tek njeri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për kushtetutën, për lirinë për fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane. Të gjithë bashkë ditën e hënë, në orën 20:00 në Tiranë”, deklaroi kreu i PD.
Kjo është protesta e 10 kombëtare e opozitës dhe e para pas 30 qershorit. Protesta e opozitës vjen në të njëjtën ditë kur mazhoranca ka paralajmëruar një seancë të jashtëzakonshme plenare.



