Nicolas Maduro u betua ditën e sotme si President i Venezuelës për periudhën 2025-2031, me një akt zyrtar në selinë e Asamblesë Kombëtare.
Maduro u zotua të zbatojë të gjitha detyrimet e Kushtetutës dhe premtoi se ky mandat i ri presidencial “do të jetë i paqes, prosperitetit dhe demokracisë së re”.

Ai u betua mbi një kopje origjinale të Kushtetutës aktuale, të nënshkruar nga Hugo Chavez, themeluesi i të ashtuquajturit revolucion bolivar.
Pak çaste më vonë atij iu dorëzua brezi presidencial duke marrë mandatin e tretë si President.
Televizioni shtetëror, i cili transmetoi ceremoninë drejtpërdrejt dhe në mediat e hapura dhe dixhitale, tregoi imazhe të një grushti mbështetësish Chavist të mbledhur rreth pallatit legjislativ në Karakas, nën masa të rrepta sigurie ushtarake dhe policore.



