
Inflacioni, çmimet e rritura dhe kursi i këmbimit po favorizon financat e qeverisë. Ajo po arkëton çdo vit në buxhet 500 milionë euro shtesë prej çmimeve të rritura, si dhe po përjeton situatë të shkëlqyer të borxhit, duke qenë përfituesja e madhe nga situata aktuale.
Profesori Elvin Meka tha përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se është hera e parë që nga 1990 që financat shqiptare kanë arritur të realizojnë një suficit kaq të madh sa u arrit në 2023.
Meka renditi arsyet se pse ky suficit arriti këto vlera, duke shtuar se 2024 nuk do të jetë në këto vlera, për shkak se inflacioni nuk është kaq i lartë dhe se 2024 është një vit para zgjedhjeve.
Kjo është hera e parë, në 2023 e kemi thënë që qeveria shqiptare ose buxheti i shtetit, financat shqiptare arrijnë të realizojnë një suficit kaq të madh që nga 1990. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që të kishim një suficit kaq të madh. Në 2023 ishim në një situatë që qeveria kishte aq para sa nuk dinte ça të bënte. Shpjegimi është i thjeshtë. Së pari marrja e 700 milionë eurove borxh nga tregu ndërkombëtar, sipas parimit t’i kemi s’e nuk i dihet por nuk shton në vlerë dhe e dyta është përfitimi abuziv nga rritja e vazhdueshme e inflacionit.
Kur çmimet rriten me 7-8% në vit, në momente të tilla, duke i shtuar edhe situatën komplekse të krijuar në tregjet ndërkombëtare sidomos në ato energjetike. Këto ishin një fat i madh i rënë nga qielli për qeverinë që pa ndryshuar asnjë në qasjen e saj, befas e gjeti veten të bekuar, arkëton qindra milionë euro. Fut dorën e gjatë në xhepat e qytetarit tënd dhe bizneseve të tua, pa shpërblim mbrapsht.
Ashtu sikundër qeveria ka përfituar qindra milionë euro në 2022-2023 nga politika represive fiskale, ashtu ka përfituar në një masë të madhe sipërmarrja shqiptare që në mënyrë abuzive ka futur nja 10 palë duar për t’i rrjepur.
Rritja dramatike e çmimeve gjatë gjysmës së dytë të 2021 dhe më vonë ka prodhuar këtë lloj efekti gjigand për situatën e buxhetit të shtetit. Këtë vit zor se do arrihet ky nivel pasi së pari inflacioni nuk është aq i fortë sa në 2023, pastaj fillon fushata, ndërkohë që qeveria do të jetë e detyruar të fillojë me disa investime kapitale.
Duke vijuar më tej, Meka tha se humbësit e gjithë kësaj situate janë konsumatorët dhe bizneset dhe eksportuesit.
Humbësit kush do jenë? 2.3 milionë shqiptare dhe biznesi i vogël që në një farë mënyrë. Është kanali i fundit i shkarkimit të mallrave dhe shërbimeve që ofrohen dhe shiten me shumicë nga biznesi i madh. Në finale, humbësi i madh është konsumatori i madh dhe eksportuesit. Jo më shumë nga çmimet, dhe nga rritja e pagave, por nga efekti shkatërrues i forcimit të shpejtë të forcimit të lekut.



