Dy persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim pas një hetimi disavjeçar të policisë së Shkodrës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Operacioni i koduar “Të harruarit” ka çuar në pranga dy persona, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike me çanta drejt Malit të Zi. Në pranga janë vënë Blerim Brahimi, 36 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër dhe Shemsi Xhaka, 54 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, të cilët u kapën dhe u ndaluan gjatë operacionit. Ndërsa dy shtetasit e tjerë , L.D dhe M.V janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni " TË HARRUARIT ". Operacioni pas një hetimi disa vjeçar, nisur prej vitit 2011. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shtetit, Prokuroria për Krimet e Rënda dhe Autoritetet Policore të Malit të Zi. Gjatë operacionit arrestohen dy shtetas, si dhe shpallen në kërkim dy të tjerë. Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shtetit si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është finalizuar me sukses Operacioni Policor i Koduar " TË HARRUARIT ".
Ky operacion Policor është përmbyllur në kuadër të një hetimi “Proaktiv” disa vjeçar, zhvilluar nga shërbimet e Specializuara të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shtetit si dhe me Autoritetet Policore të Malit të Zi.
Ky hetim ka qenë i përqëndruar për dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal, për të cilit u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë , ku është caktuar masa e sigurisë Arrest në Burg “ për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal, per shtetasit ; Blerim Brahimi, 36 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Shemsi Xhaka, 54 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, të cilët u kapën dhe u ndaluan gjatë operacionit. Ndërsa dy shtetasit e tjerë , L.D dhe M.V janë shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja dhe arrestimi i tyre. Shtetasit e mësipërm dyshohet se në vijimësi, merreshin me trafik të lëndëve narkotike Cannabis Sativa, duke e transportuar me çanta krahu nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Shkodra në drejtim të Malit të Zi.



