Erdogan lë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje me Greqinë

Erdogan lë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje me Greqinë

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, la të hapur dje mundësinë e uljes në bisedime me Greqinë mbi depërshkallëzimin e tensionit në Mesdheun Lindor, i cili ka arritur pikën e krizës në disa raste javët e fundit.

Ne mund të takohemi në një terren të përbashkët ku të gjithë mund të fitojnë. Ne mund të ndjekim një politikë nga e cila të dalim të fituar të dyja palët", u citua Erdogan nga media turke pas një takimi me zyrtarë të partisë AKP të mërkurën.

"Ne mund të ulemi në të njëjtën tryezë me të gjithë përveç Qipros Jugore", ka thënë ai.

Presidenti turk urdhëroi gjithashtu zyrtarët e partisë të identifikojnë iniciativat ku Turqia ka bashkëpunuar ose dhënë hua për vendet e tjera në rajon dhe Greqinë në veçanti. Komentet e Erdogan u bënë ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, të mërkurën bëri thirrje për një moratorium midis Greqisë dhe Turqisë dhe fillimin e një dialogu. Megjithatë, presidenti turk këmbënguli gjithashtu se shprehja e një dëshire për të biseduar "nuk do të thotë që ne do të bëjmë lëshime për të drejtat tona".

Nga ana tjetër, zv.presidenti turk, Fuat Oktay, tha dy ditë më parë se marrëveshja detare midis Turqisë dhe Libisë është "vija e kuqe" e Ankarasë në Mesdheun Lindor. Oktay paralajmëroi se "askush nuk mund ta vërë në dyshim" marrëveshjen "veçanërisht Franca". Marrëveshja historike e nënshkruar nëntorin e kaluar përcakton kufijtë detarë midis dy vendeve për të krijuar një zonë ekonomike ekskluzive. Lidhur me ShBA-të dhe vendimin për të hequr embargon ndaj Qipros Greke, Oktay tha se "helmon mjedisin rajonal të paqes dhe stabilitetit".

Uashingtoni tha të martën se po heq pjesërisht embargon e armëve ndaj grekëve qipriotë. Turqia e dënoi menjëherë këtë hap, i cili, sipas saj, "injoron barazinë dhe ekuilibrin midis dy popujve në ishull".

Lidhur me studimin sizmik të Ankarasë në një zonë në jug të ishullit Meis, ose Kastellorizo, Oktay theksoi se Turqia po bën shpime vetëm në shelfin e saj kontinental.

Ai vuri në dukje se Greqia nuk mund të vërë në dyshim Turqinë, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare në rajon dhe shelfi kontinental është "4 000 herë më i madh" se ishulli. "A do të prisnit që Turqia ta pranonte këtë?", theksoi ai.

Pasi Athina kundërshtoi studimin sizmik të Ankarasë në zonë në korrik, përpjekjet diplomatike gjermane ndihmuan në zbutjen e tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë.

Por lëvizja e diskutueshme e Greqisë për të nënshkruar një marrëveshje delimitimi detar me Egjiptin, e cila Turqia thotë se shkel shelfin e saj kontinental dhe të drejtat detare, ka shkaktuar tensione të mëtejshme midis dy fqinjëve me Ankaranë që akuzon Athinën për ndjekjen e politikave maksimaliste në Mesdheun Lindor.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy