Gazetari dhe botuesi Henri Çili hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Çili doli para mediave në për të sqaruar qëndrimin e tij në lidhje me akuzat, por edhe një sërë pikëpyetjesh që kanë pasuar arrestimin e tij disa ditë më parë. Ai tha se asnjë prej akuzave të ngritura ndaj tij nuk qëndron, pasi ka vepruar në cilësinë e ortakut maxhoritar të studios ligjore, “Legal Studio”.
“Akuza për mashtrim. Kam vepruar si ortak maxhoritar i studios ligjore. Është marrëdhënie shërbimi mes personave në fjalë dhe studios ligjore. Akuza për falsifikim. Nuk kam nënshkruar as falsifikuar asgjë. Fshehja e të ardhurave: Nuk kam fshehur, pasi në kuadrin e “Legal Studios” nuk kam realizuar asnjë arkëtim, nuk kemi çfarë të fshehim. Ushtrim i ndikimit të paligjshëm: Nuk kam takuar asnjë gjykatës, as unë dhe as avokatët e mi. Kurrë nuk takuar një funksionar të drejtësisë me qëllimin për të ndikuar në vendime. Pastrimi i produktit të veprës penale. Nuk ka pasur të ardhura, nuk ka mundësi të realizohet pastrim i veprës penale”, tha ai.
“Duke pasur interes të ligjshëm si ortak, kam takuar dhe negociuar për shërbime juridike dhe konsulencash. Veprimi im në kuadër të kësaj studioje kishte një kuadër përgatitor”, tha ai.
Çili tha se është viktimë e drejtësisë së vjetër.
“Nuk mendoj se jam viktimë e një procesi politik. Kemi të bëjmë me sistemin skandaloz të drejtësisë së vjetër. Gjykatësit dhe prokurori i çështjes janë të pakaluar në veting. Kjo çështje nuk i shërben askujt si bilanc i luftës ndaj krimit”, u shpreh ai.



