
Zef Gjeta, eksperti i bujqësisë, e sheh kultivimin e manorëve si një strategji të suksesshme për të rritur bujqësinë. Në MCN Economy, Gjeta tha se prodhimi i tyre në zonat e mesme dhe të larta, duke respektuar standardet e BE-së, do të garantojnë eksporte të larta.
Prej shumë kohësh kur diskutohet për zhvillimin kërkohet kush është produkti që na nxjerr nga varfëria. Unë mendoj se janë manoret: boronica, luleshtrydhet, mjedrat, kulumbritë etj.
Bujqësia është zhvilluar, por nëse në zona më të larta rrisim prodhimin e këtyre produkteve, nuk ka asnjë pengesë për të shitur miliona tonë. Ne duhet të edukohemi të prodhojmë sipas standardeve të BE-së. Le të prodhojmë luleshtrydhe dhe boronica, mjedra, rrush ariu, kulumbri, që shqiptarët shumë nuk i njohin, por janë shumë të mira për konsum dhe për të rritur të ardhurat.
Gjeta tha se bujqësia nuk është financuar sa duhet dhe për pasojë edhe ka nisur të braktiset.
Nuk ka financim të mjaftueshëm për sektorin e bujqësisë. Nuk është treguar kujdes në vite. Çdo ditë dëgjojmë për financime të suksesshme, forca punëtore që largohen. Kush ta bëjë? Nuk bëhet vetë.
Ai theksoi se vendi duhet të mbështesë më shumë prodhimin dhe konsumin në vend të produkteve bujqësore sesa eksportin.
Një kg domate e shesim më mirë në Dhërmi dhe Theth sesa në Gjermani e Holandë. Ndaj duhet të gjykojmë me këmbë në tokë. Me këtë rritje të turizmit të përpiqemi të ushqejmë më mirë veten dhe turistin që na vjen. D.m.th. turistit të mos përpiqemi t’ia hedhim, por t’i japim ushqimin më të mirë. Ne jemi akoma në kushtet kur mund të ofrojmë ushqim të mirë. Nëse vrapojmë pas shifrave, do ta kemi të vështirë. Në pranverë gjatë një lidhjeje me disa ferma në Korçë, disa fermerë po prisnin mollët. Ndërkohë, ne hamë mollë importi dhe pimë lëngje importi.
Sipas tij, problemet e pazgjidhura me tokat bëhen pengesë për përfitimin e fondeve që mbështesin bujqësinë.
Pengesë shumë e madhe është kadastra. Shumica e fermerëve që duan të aplikojnë nuk munden sepse nuk e kanë pronën të hipotekuar. Shqipëria ka marrë nga BB shumë kredi. Për fat të keq, p.sh. kanali i Cukës është rifinancuar 5 herë në 33 vjet. Është si qendra e Tiranës që e kemi bërë po aq herë.



