Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, duke thënë se "krime kundër njerëzimit" po kryhen në Gaza.
Presidenti i Turqisë merr pjesë në Samitin e 10-të të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Shteteve Turke, në Astana më 3 nëntor.
Erdogan ka mbështetur fuqishëm palestinezët përballë luftës së Izraelit me Hamasin, duke marrë pjesë në mitingje pro-palestineze dhe duke u pozicionuar si ndërmjetës që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
“Nuk ka asnjë koncept që mund të shpjegojë apo justifikojë brutalitetin që kemi dëshmuar që nga 7 tetori. Për ta thënë troç: krime kundër njerëzimit janë kryer në Gaza për saktësisht 28 ditë”, tha Erdogan gjatë një samiti të shteteve turke në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
“Prioriteti ynë është të vendosim shpejt një armëpushim humanitar”, tha ai, duke shtuar se Turqia po punonte për “mekanizma të rinj që do të garantojnë sigurinë e të gjithëve, pavarësisht nëse janë myslimanë, të krishterë apo hebrenj.
"Përpjekjet tona për të hedhur bazat për një konferencë ndërkombëtare të paqes vazhdojnë," tha ai, pa dhënë detaje.



