
Dy shtesa të reja mbi pallate ekzistuese po ndërtohen në qendër të Tiranës me firmën e kryebashkiakut Veliaj, sipas Partisë Demokratike. Ish-deputetja Oriola Pampuri, në një deklaratë nga selia blu, denoncoi atë që e quajti “pallat mbi pallat”, të dy figurave të njohura të Partisë Socialiste.
Sipas saj, një ose disa kate shtesë po ngrihen mbi “Sky Tower”, në Tiranë, pronë e ish-deputetit socialist, Vladimir Kosta. Ndërkohë, një ndërtim i ngjashëm me të, sërish në Tiranë, po bëhet nga deputeti i PS-së, Robert Bitri.
“Kjo është pamja në një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower, pronë e ish-deputetit socialist Vladimir Kosta. Mbi këtë ndërtesë në zemër të kryeqytetit po hedh shtat një ose më shumë kate. Në këtë foto është një tjetër objekt banimi në kryeqytet ku po hedh shtat një tjetër pallat mbi pallat. Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Robert Bitri që po ndërton një kat shtesë në këtë objekt banimi që jo vetëm shton betonin në Tiranë, por rrezikon jetën e qindra banorëve që jetojnë në këtë objekt”, tha Pampuri.
Ish-deputetja demokrate tha se ndërtimet po kryhen me bekimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili 4 vjet më parë u premtoi qytetarëve të Tiranës se asnjë leje ndërtimi nuk do të jepej nën drejtimin e bashkisë së kryeqytetit prej tij. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, Pampuri tha se nën drejtimin e Veliaj, Bashkia e Tiranës ka thyer çdo rekord për dhënien e lejeve të ndërtimit.
“Veliaj jo vetëm që nuk e ndaloi dhënien e lejeve, por në 4 vite të drejtimit të tij, e vetmja gjë që lulëzoi ishin betoni dhe kullat. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Po sipas raportit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej për kryeqytetin 94 leje ndërtimi, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Trendi rritës vijoi edhe në tremujorin e dytë, ku u thye rekordi i lejeve të ndërtimit për bashkinë e kryeqytetit me 111 leje të reja”, tha ajo.



